Rama në Vaun e Dejës akuza ndaj Zef Hilës: Më kërkove pazar të të mbështesja, s’ke as diplomë

12/05/2023 16:58

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm ditën e sotme në Vaun e Dejës, në mbyllje të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore që do të zhvillohen pas dy ditësh.

Teksa ka mbështetur kandidatin e PS-së Kristjan Shkrelin, Rama ka akuzuar kandidatin e PD-së Zef Hila për falsifikim diplome dhe se i kishte kërkuar atij një pazar për ta mbështetur.

“Deshe një pazar të vogël për të të mbështetur ty, domethënë për të sabotuar unë partinë time siç ke sabotuar ti tënden e pastaj të sabotosh ti tënden për timen zgjedhje të tjera. Ah mor Zef. Zefi ishte te SHQUP-i brenda kur non grata sulmonte SHQUP-in pastaj do ti doli me non gratën jashtë. Është akrobat i madh”

Fjala e kryetarit të PSSH Edi Rama në takimin elektoral në Vaun e Dejës:

“Shumë faleminderit! Do përpiqem të flas sa më shkurt që të mos ju mbaj në shi! Po heq dhe kapelen për solidaritet që tani kush ka flokë nuk luan më nga vendi, se kur ne qerosët, Kristiani, unë dhe kush është këtu, se ju paskeni flokë të gjithë, çudi e madhe, nuk keni ku luani.

Shumë faleminderit realisht dhe më vjen shumë mirë që e gjeta kohë që të ndaloj dhe këtu, jo pa qëllim sepse Vau i Dejës është një bashki, e cila deri në 2019 qysh prej ’92 është drejtuar nga ata të tjerët  dhe edhe këtu në të gjitha bashkitë ku na u dha mundësia si në Tropojë, në Kamëz dhe në ndonjë bashki tjetër, pas shumë e shumë vitesh ne treguam se si dimë të punojmë dhe si dimë t’i ndryshojmë gjërat.

Këtu dua t’i bëj një falënderim me shumë mirënjohje Markut.

Dua t’i bëj një falënderim me shumë mirënjohje një burrë zotëri, një sipërmarrës i shkëlqyer, një qytetar i mirë i kësaj zone, i cili për 4 vjet qëndroi në krye të punëve këtu, shërbeu me përkushtim, me dinjitet. Rrezikoi ta bënin dhe kriminel, ju kujtohet? Për pak na e nxorën dhe kriminel. Edhe Marku thashë unë? Bo-bo, po qe dhe ky thashë, i bie që tjetri do dal unë!  Po faleminderit shumë Mark, por siç thotë ajo fjala: çfarë nuk të vret, të forcon, dhe Marku doli më i fortë nga ajo baltë që i hodhën aq padrejtësisht.

Tani është koha që Marku t’i përkushtohet sipërmarrjes gjithmonë këtu, gjithmonë duke qëndruar pranë jush dhe Kristiani të marrë stafetën me mbështetjen tuaj për ta çuar Vaun e Dejës përpara. Tani unë e di që Zef Hila është duke më parë dhe dua t’i dërgoj një mesazh. “Merhaba” Zef, se ti je Zef me universitet në Turqi megjithëse s’di asnjë fjalë turqisht. E pashë dhe dëftesën e Zefit në Turqi dhe dy gjëra më bën shumë përshtypje. Histori turke kishte marrë një vlerësim shumë të lartë, tek e drejta turke kishte marrë vlerësim shumë të lartë, domethënë Zefi edhe historian dhe jurist turk, por një fjalë turqisht Zefi nuk e di, ose pastaj tërhiqem unë, Zefi të dalë sot të mbajë një fjalim turqisht këtu për gjithë Vaun e Dejës dhe tërhiqem unë.

Natyrisht unë tërhiqem nga mesazhi, por jo nga vota, se di Zefi turqisht, s’di Zefi turqisht, Zefi nuk ka çfarë bën më këtu. Zef t’i më çove fjalë mua përpara disa kohësh. Doje të më takoje. Deshe një pazar të vogël se kështu e ke zakon ti, deshe një pazar të vogël për të mbështetur ty, domethënë për të sabotuar unë partinë time, siç ke sabotuar ti tënden e pastaj ti të sabotosh tënden për timen zgjedhjet e tjera. Ah more Zef! Zefi ishte të SHQUP-i brenda kur non grata sulmonte SHQUP-in. Pastaj do ti, doli me non gratën jashtë. Është akrobat i madh, edhe pse kështu i shëndoshë, por akrobat dhe për të thënë të drejtën, nuk bie në tokë, gjithmonë rrotullohet. Kështu që Zef të përshëndes!  Ejvalla për të gjitha dhe tani ka ardhur koha me atë diplomën e Universitetit në Marmaris, ku për të thënë të vërtetën nuk të mbanin mend si student, me atë diplomën tani ti vihesh në shërbim të grupit të avokatëve të non gratës se do ketë nevojë dhe me siguri duke qenë se ti ke studiuar atje, ke mësuar dhe anglisht, kështu që turqisht, anglisht, shqipen e ke pak problematike, por me ato të dyja të tjerat ia del, ti mund të vazhdosh të kesh një jetë me shëndet. Edhe diçka të fundit Zef, mos i merr më qafë njerëzit duke i dhënë lekë për të shpërndarë. Je vonë shumë! Je shumë vonë! Mos i merr më qafë njerëzit, duke shpërndarë lekë për të blerë vota. Unë e di që ti s’bën nga këto punë sepse e drejta turke nuk i lejon këto, por mos lejo të tjerët ta bëjnë këtë punë sepse po kapen shumë edhe qëparë më thanë u kapën ca të tjerë, po kapen shumë edhe këta është e bukura se këta kur kapen thonë “po na vjedhin votat”.

Kështu që Zef është kryer kjo punë. Në 14 maj Kristiani do marrë stafetën nga Marku sepse ka një arsye shumë të thjeshtë. Nuk është punë socialistësh e punë demokratësh, por është punë pune dhe ne nuk vijmë këtu për të thënë hajdeni të gjithë bëhuni socialistë, hajdeni të gjithë votoni PS, se nuk e duam këtë. Kemi shumë respekt, unë personalisht kam shumë respekt për demokratët. Demokrat jam edhe vetë të them të drejtën sa ç’jam dhe socialist sepse unë besoj që socialistët janë edhe demokratë, demokratët nuk janë edhe socialistë. Ne i kemi të dyja. Kështu që puna është të zgjedhësh njeriun që do i rrijë punëve në krye dhe që do ju shërbejë për 4 vjet dhe ne e kemi treguar se kur marrim drejtimin e një bashkie, ne nuk i ndajmë njerëzit. Pyesni në Tropojë, pyesni në Kamëz, këtu në Vaun e Dejës ju e dini vetë. Pyesni kudo, për ne nuk ka majtas djathtas, për ne ka vetëm majtas përpara. Për të majtët e për të djathtët.

E vërteta është që siç e shikoni dhe nga Shkodra ku do shkojmë pastaj. Ata në Shkodër ngelën vetëm me një anë se në 2019 nuk ndodhi që ne të merrnim drejtimin për arsye që ju i dini dhe Shkodra që faktikisht është qyteti më i bekuar e Shqipërisë se i ka të gjitha. Nuk i ka askush në Shqipëri, por unë nuk di as në Europë. Edhe det, edhe liqen, edhe lum, edhe mal, edhe alpet mbi kokë. Është bashkia më e prapambetur e Shqipërisë.

Ndërkohë që ne mendojmë se Shkodra duhet të jetë lokomotiva e trenit të gjithë këtyre bashkive, duhet të jetë epiqendra e zhvillimit që t’i përfshijë dhe bashkitë e tjera dhe sa më shumë të ndërveprojnë me njëra-tjetrën, aq më shumë bëhet ekonomi, aq më shumë bëhet turizëm, aq më shumë bëhet vendi i denjë për fëmijët tanë.

Si duket shiu e paska pasur për të kujtuar, për t’i thënë Zefit atë që kisha për t’i thënë, se sa mbarova unë për Zefin ndaloi dhe shiu, çudi e madhe! Jo, s’paska qenë për bereqet, paska qenë për të më kujtuar shihe se Zefi po pret për të dëgjuar.

Jam habitur, nuk e besoja, por kur pashë gjithë atë diplomë, por mos të merremi më me Zefin. Zefit mos i qani hallin se mos kujtoni se ka vetëm atë diplomë, por e dini sa diploma ka Zefi? Tre diploma. Një juridik, një ekonomik, si e ka të tretin? Ah pedagogjik. Do për jurist? Zefin! Do të të mësosh si bëhen lekë? Zefin! Do të mësosh sesi të gënjesh? Zefin! Në rregull është! Pedagog, jurist, ekonomist, 3 diploma, 1 në Turqi, 1 në Angli dhe 1 në Maqedoni se këtu në Shqipëri nuk ka marrë asnjë se nuk ka pasur kohë se ka qenë vërdallë sa andej këndej.

E fundit që doja t’iu them është që ato që tha Kristiani janë vërtetë projekte të mëdha, ambicioze, por sigurisht që ne vijmë këtu për të mbështetur Kristianin jo që ju ta votoni dhe ai pastaj të mbetet vetëm, por që ju ta votoni, ai t’i rrijë në krye punës sepse bashkia ka punë të mëdha, por ka dhe punë të vogla për të bërë. Mua më kujtohet Vau i Dejës përpara që ishte i mbytur nga plehrat dhe është meritë e Markut që e vuri të gjithë forcën e bashkisë në punë për pastrimin, pastroi masivisht dhe kanalet ujitëse, kanalet kulluese kështu që këto punë jam për tu vazhduar se nuk pastrohet njëherë dhe pastaj të presësh siç presin në Shkodër, për shembull. Në Shkodër i pastrojnë njëherë dhe pastaj thonë, “nga java tjetër”.

Nga ana tjetër, ato punët e tjera që kërkojnë financime, kërkojnë mbështetje dhe ne dhe unë personalisht dhe qeveria patjetër që do jemi këtu për të mbështetur Kristianin.

Ne duam që të bëjmë shumë më tepër për Vaun e Dejës dhe unë besoj që i gjithë ky qark ka një potencial shumë të madh për turizmin. Mund të duket si çudi, Vau i Dejës turizëm, por e vërteta është që ka shumë potencial për turizmin, për agroturizmin që kanë filluar disa gjëra dhe patjetër, ne duam të bëjmë shumë edhe për më të rinjtë me teknologjinë në mënyrë që sa më shumë të rinjtë ta mësojnë gjuhën e teknologjisë dhe të kenë mundësi që të punësohen pa lëvizur, mund të punësohen kudo në botë duke qëndruar në shtëpi, me kompjuterin dhe duke dhënë shërbime përmes asaj gjuhe në kompani nga më të ndryshmet.

Të gjitha këto do bëhen, duke u bërë në radhë të parë vota në 14 maj dhe vota ka shumë rëndësi. Ata që thonë “vota nuk vlen”, e kanë shumë gabim sepse po të ishin njësoj të gjithë dhe po të mos vlente vota, nuk do bëheshin edhe ndryshimet.

Ju falënderoj shumë, ju uroj çdo të mirë dhe mbi të gjitha, ju bëj thirrje, se ju që keni ardhur këtu dhe po rrini sot e po më dëgjoni mua prapë, që më keni dëgjuar nuk e di se sa herë, kujdes frigoriferin kur ta hapni se mund t’iu dal dhe në frigorifer se mirë në televizor, e keni ndarë mendjen, por ka akoma dhe dy ditë për të bindur dhe të tjerë, për të marrë dhe të tjerë, për të thirrur dhe të tjerë, për të punuar edhe me demokratët.

Ata që janë të djathtë që janë të verbër dhe nuk duan gjallë të votojnë Partinë Socialiste, nuk duan gjallë të votojnë Kristianin se mendojnë që po votojnë komunistët, kanë dhe një rrugë tjetër. Nëse nuk duan të votojnë Kristianin, të rrinë në shtëpi, të mos dalin të votojnë Zefin se Zefi as nuk ka nevojë për vota se ka tre diploma. E di ç’domethënë të kesh 3 diploma apo jo? Të kesh 3 diploma, nga të cilat 4 i ke false, është talent. Kështu që nuk ka nevojë të dalin.

Qofshi mirë të gjithë. Shumë faleminderit dhe njëherë dhe ju hëngsha zemrën të gjithëve sa jeni, të gjithë socialistëve, progresistëve edhe demokratëve sepse në 14 maj ne do fitojmë për të gjithë.

Faleminderit shumë!”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA