Shkodra ishte kryefjalë e çdo takimi elektoral të kryesocialistit Edi Rama.
Kryeqendra e veriut të Shqipërisë është kthyer në një bast të vërtetë për ta fituar nga socialistët me Benet Becin, i cili e zhvilloi fushatën nën moton “Shkodra Pozitive”. Prandaj u zgjodh si një prej dy qyteteve për mbylljen e fushatës elektorale të PS.
“Jemi mes inatit dhe shpresës. Oferta jonë ofertë e shpresës për Shkodrën. Duam mbështetje për ato që kemi folur, Shkodra meriton ndryshimin. Vota ditën e diel jo votë për mua votë për Shkodrën prandaj duhet ta fitojmë Shkodrën”- tha Benet Beci.
Benet Beci tha Edi Rama, është jo kandidat i rastësishëm por një mundësi tjetër për të gjithë qytetarët e kësaj bashkie.
“Ajo që është e rëndësishme, as ngjyra blu, as ngjyra mavi nuk e kanë udhëhequr kurrë Benetin në punën e vet, por e ka udhëhequr gjithmonë dëshira dhe e ka udhëhequr gjithmonë profesionalizmi i tij. Dua t’i them të gjithë atyre që nuk janë këtu që Beneti, si Shqipëria në fakt, nuk është as blu, nuk është as mavi, por është kuq e zi dhe Shkodra duhet të votojë kuq e zi këtë herë duke votuar për Benetin.”– tha Rama.
Investimet e qeverisë socialiste për Shkodrën s’kanë munguar tha Edi Rama.
“E vërteta është që ne, në fakt, pavarësisht se çfarë thuhet, ne Shkodrës nuk ia kemi kursyer fondet asnjëherë dhe për këtë flasin faktet dhe flasin veprat sepse rrugën Shkodër-Velipojë nuk e bëri Beneti me zotin Berisha, siç i thotë, por e bëmë ne me Benetin dhe është investim strategjik sepse të ndërtosh rrugën Shkodër- Velipojë nuk është thjesht t’i ndërtosh një rrugë bashkisë Shkodër, por është të ndërtosh një tjetër aks strategjik për ekonominë dhe turizmin shqiptar. Rrugën Shkodër-Theth nuk e bëri Beneti me zotin Berisha, e bëmë ne me Benetin.”-tha Rama.
Rama dha këtë konkluzion se çfarë ka prodhuar vota tradicionale blu e shkodranëve.
“I humburi më i madh që nga viti 1992 në Shqipëri është Shkodra. Më i madhi! Nuk ka humbur sa Shkodra askush tjetër. Pse? Sepse askush sade si Shkodra nuk i ka dhënë mbështetje besnike, të verbër, gjithmonë pa asnjë ngurrim atij që Beneti i thotë zoti Berisha.”– tha Rama.
Edi Rama shpalosi edhe projektet për Shkodrën.
“Kjo zonë këtu e ka bërë Zoti për të qenë një nga motorët më të fuqishëm ekonomikë të këtij vendi dhe kjo nuk funksionon si motor ekonomik”- shtoi Rama.
Top Channel