Kryeministri Edi Rama e konsideron një sprovë të madhe për organet e drejtësisë arrestimin e kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Fredi Belerit, në vigjilje të zgjedhjeve.
Nisur nga arrestimi i tij, kreu i qeverisë thekson se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar.
Rama bëri thirrje që askush mos të nxitohet me konkluzione politike, por të presin komunikimin e organeve të drejtësisë, duke theksuar se beteja politike për 14 majin nuk ka lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë.
“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar!
Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”, shkruan Rama në Twitter.
Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë.
— Edi Rama (@ediramaal) May 12, 2023
Kujtojmë se Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri është arrestuar pak minuta pas mesnate nën akuzën e shitblerjes së votave, në restorantin e tij në Himarë dhe është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Vlorë rreth orës 00:15.
Belerin e kanë shoqëruar dy persona në drejtim të komisariatit Himarë dhe më pas mësohet se është dërguar drejt Vlorës. Bashkë me të janë shoqëruar edhe avokati i tij personal dhe një person tjetër, pjesë e stafit të punës.
Top Channel