Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas arrestimit të kandidatit të “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Alfred Beleri.
Sipas Berishës, arrestimi i Belerit është hakmarrje politike e kryeministrit Edi Rama.
“Komenti im për këtë ngjarje është një veprim i verbër politik, një hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës ndaj një kandidati të opozitës me manipulime, me angazhim të një manipulatori dhe ish-bashkëpunëtori të bandave, që drejton sot Policinë e Vlorës dhe që quhet mos gaboj, Ermal Muça.
Ky ka qenë bashkëpunëtor me bandën e Shullazit dhe banda të tjera dhe unë dënoj aktin, dhunën ndaj përfaqësuesit të opozitës, sikundër dënoj çdo akt shitblerje vote kudo që kjo të ketë ndodhur. Por, duhet të informoj qytetarët shqiptarë se janë pasionet mafioze, qëllimet mafioze të Edi Ramës ndaj tokave të Himarës, shtytësi i vërtetë i këtyre akteve që po ndodhin në Himarë”.
Berisha foli për frikësim të zgjedhësve në këtë komunitet.
“Përdorimi i dhunës është një akt in-ekstremis për të trembur zgjedhësit në këtë komunitet dhe jo vetëm aty. Unë kam gjetur në Dropull një klimë terrori, ku policia thërriste zgjedhësit dhe u bënte presion të mos votojnë për kandidatin tonë të shkëlqyer, Thanas Manekën, por të votonin për kandidatin e Edi Ramës.
Terror është ushtruar nga Belinda Balluku, e cila shoqërohet me banditë dhe drejtorë. Është ushtruar në Pukë nga kriminelë të armatosur të Gjon Gjonajt. Por këto nuk do pengojnë fitoren e opozitës shqiptare më 14 maj. I them Edi Ramës se me dhunë dhe terror, do bëhesh përgjegjës para ligjit se ke bërë prokurorin ndaj Fredi Belerit. Ka një javë që e ka bërë epiqendër e sulmeve të padenja për një njeri”.
Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, për Bashkinë e Himarës, Alfred Beleri u arrestua pak minuta pas mesnate, në restorantin e tij dhe u shoqërua në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Vlorë rreth orës 00:15.
Gjatë mëngjesit të sotëm atij i është komunikuar urdhri i arrestit dhe akuzohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”.
Top Channel