Burime policore i thanë Top Channel se videot ku duken provat ndaj Fredi Belerit i janë treguar ambasadores greke në Shqipëri gjatë vizitës së saj në drejtorinë e policisë së Vlorës, ndërsa burime pranë ministrit të Jashtëm grek, thanë se edhe zoti Dendias është njohur me provat filmike ndaj zotit Beleri gjatë orëve të drekës te së premtes.
Kjo shpjegon edhe qëndrimin e tij paksa të zbutur gjatë deklaratave të bëra pak para takimit të ministrave të jashtëm të BE në Stokholm.
Ende nuk dihet nëse pamjet e dërguara nga Tirana drejt Stokholmit, i janë dërguar edhe kryeministrit grek Qyriakos Mitsotakis në ishullin e Lezbosit ku po zhvillon fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare greke të 21 majit.
Kjo do të duket gjatë orëve në vazhdim, ku politika greke do të vazhdojë me deklaratat e ashpra ndaj Tiranes, apo do të preferojë t’i referohet drejtësisë duke ulur tonet dhe vijimin normale të marrëdhënieve dypalëshe.
Top Channel