Mijëra emigrantë po kalojnë kufirin në Shtetet e Bashkuara këtë javë përpara se të hyjë në fuqi një rregullore e re që mund të ndalojë shumicën e atyre që hyjnë ilegalisht të kërkojnë azil, ndërsa të tjerët u mblodhën në anën e Meksikës mes konfuzionit rreth politikës amerikane.
SHBA nxorri një rregullore të mërkurën (10 maj) që supozon se shumica e emigrantëve nuk kanë të drejtë për azil nëse kanë kaluar nëpër vende të tjera pa kërkuar më parë mbrojtje diku tjetër, ose nëse nuk kanë përdorur rrugë ligjore për hyrjen në SHBA.
Rregulli i ri është një pjesë kyçe e planit të presidentit Biden për zbatimin e ligjit në kufi pasi në orën 24:00 të 11 majit skandon urdhri ekzekutiv i miratuar gjatë pandemisë së koronavirusit.
Sipas rregullores së mëparshme, që ka qenë në fuqi që nga marsi 2020, shumë kalimtarë të kufirit u dëbuan me shpejtësi në Meksikë pa pasur mundësi për të kërkuar azil, duke çuar në përpjekje të përsëritura prej tyre.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, tha se rregulli i ri do të nënkuptonte pasoja më të rënda për migrantët që kalojnë ilegalisht, të cilët, nëse kapen, mund të deportohen dhe të ndalohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara për pesë vjet nëse nuk kualifikohen për azil.
Emigrantët janë grumbulluar në Meksikë pranë pjesëve të ndryshme të kufirit – shumë prej tyre nuk janë të sigurt se kur, apo si do të kalojnë. Pamjet me dron tregojnë turma të mëdha që mblidheshin në gardhin kufitar nga El Paso, në shtetin e Teksasit, në Ciudad Juarez të Meksikës.
Në një mur të lartë që ndan San Diegon, në Kaliforni dhe Tijuanën në Meksikë, qindra emigrantë kanë kaluar kufirin ditët e fundit, duke pritur që t’i dorëzohen agjentëve kufitarë amerikanë.
Më shumë se 10,000 migrantë u kapën duke kaluar ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë çdo ditë të hënën (8 maj) dhe të martën (9 maj), tha Brandon Judd, president i një sindikate për agjentët e Patrullës Kufitare.
Top Channel