Kryetari i Bashkisë së Tiranës, kandidat për një tjetër mandat në krye të bashkisë, Erion Veliaj, zhvilloi sot takime me banorët e Tufinës, Freskut, Dajtit, Zall-Herrit, Shëngjergjit e Zall Bastarit. V
Nga takimet në këto fshatra, Veliaj u shpreh se Partia Socialiste vjen në çdo njësi e në çdo fshat jo vetëm për fushatë, por në çdo kohë kur ka nevojë për të qenë pranë me qytetarët, sidomos në kohë të vështira.
“Ky ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm! Por, ne nuk jemi bashkë vetëm për fushatë. Kemi qenë këtu edhe kur s’ka pasur fushatë. Sa e kishim fituar betejën e fundit kur ra tërmeti dhe treguam që s’ishim nga ata që duken një herë në 4 vjet. Kemi qenë me Xhemalin dhe drejtuesit tanë në çdo shtëpi, që kishte nevojë të ngrihej, në çdo familje që kishte nevojë për dashuri, në çdo të moshuar e të vetmuar, që kishte nevojë për mbështetje. Jemi forca politike që quhet Partia Socialiste, edhe kur ka shi, edhe kur ka diell, edhe kur ka tërmet, edhe kur ka pandemi, edhe kur jemi shëndoshë e mirë sepse një familje është gjithmonë bashkë dhe kjo është familja jonë”, u tha Veliaj banorëve.
Ai falënderoi këdo që i është bashkuar në këtë fushatë Partisë Socialiste, teksa veçoi një rast: “Kur po vija këtu takova një vajzë, e cila më tha: ‘Kjo është hera e parë që vij në një miting të Partisë Socialiste, kam qenë gjithmonë djathtas’. Por, asnjëherë nuk është vonë të ecësh përpara. Asnjëherë nuk është vonë që të shkosh në drejtimin e duhur dhe asnjëherë nuk është vonë të bashkohesh me familjen më patriotike, me familjen më të madhe, por edhe me familjen më fitimtare politike, që është Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Vota për PD-në, shtoi Veliaj, nevojitet për të vijuar me investimet e mëdha në kryeqytet.
“Sot jemi në një situatë ku kemi shumë punë që i kemi nisur dhe i kemi në gjysmë të rrugës. Ashtu si një njëri që ndërton çatinë e vet, nuk ndërton vetëm gjysmat e tjegullave, duhet të mbarojë e gjithë çatia. Ashtu si dikush që lyen murin, nuk lyen vetëm gjysmën e murit, duhet të lyejë të gjithë murin. Ashtu edhe Tirana jonë, e ka nisur mbarë, por siç kemi bërë gjysmën e Unazës së Madhe nga sheshi Shqiponja deri në Farkë të Madhe, tani duhet të kalojmë te zonat e Xhemalit, të vijë Unaza në Dajt, në Tufinë, e të vazhdojë derisa të dalë në Paskuqan”, nënvizoi Veliaj.
Top Channel