Në Turqi, një kandidat në zgjedhjet presidenciale njoftoi të enjten se po tërhiqej nga gara, një veprim që ka të ngjarë të forcojë mbështetjen për kundërshtarin e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
Muharrem Ince, kreu i Partisë Atdheu i qendrës së majtë, ishte mes katër pretendentëve që kandidojnë për president në zgjedhjet e 14 majit, kur votohet edhe për parlamentin e vendit.
Zoti Ince u kritikua ashpër për ndarjen e votave të Aleancës Kombëtare të përbërë nga gjashtë parti, e cila mbështet kandidaturën e kreut të partisë kryesore opozitare Kemal Kilicdaroglu, dhe për shkak të mundësisë që mund të çonte në një raund të dytë votimesh për president.
“Po tërhiqem nga gara”, u tha zoti Ince gazetarëve para selisë së partisë së tij. “Po e bëj për vendin tim”.
Zoti Erdogan, i cili e ka udhëhequr Turqinë si kryeministër dhe president që nga viti 2003, po përballet me zgjedhjet më sfiduese gjatë qeverisjes së tij 20-vjeçare.
Sipas sondazheve, opozitari Kilicdaroglu gëzon një epërsi të lehtë ndaj Presidentit Erdogan, megjithëse asnjëri nga kandidatët nuk pritet të marrë më shumë se 50% të votave të nevojshme për t’u zgjedhur në raundin e parë.
Anketat tregonin se pasi shpalli kandidaturën, zoti Ince gëzonte një mbështetje prej 8% mes votuesve, por popullariteti i tij ka rënë në rreth 2%, sipas anketave të opinionit publik.
Politikani nuk tha se po largohej në favor të kandidatit Kilicdaroglu, por analistët thonë se tërheqja e tij nga gara ka të ngjarë ta favorizojë Aleancën Kombëtare.
Anëtarët e Aleancës Kombëtare e përshëndetën vendimin e zotit Ince për të dalë nga gara. Megjithatë, zoti Ince tha se Partia Atdheu, të cilën ai e formoi në vitin 2021, do të vazhdojë të garojë në zgjedhjet parlamentare dhe ai bëri thirrje për mbështetje nga të gjithë votuesit.
58-vjeçari, ish-mësues i fizikës, konkurroi në vitin 2018 përballë zotit Erdogan si përfaqësues i partisë kryesore opozitare në vend CHP të zotit Kilicdaroglu. Ai kishte një mbështetje prej rreth 30% por më pas u largua nga partia.
“Ata nuk do të kenë asnjë justifikim nëse i humbasin zgjedhjet”, tha zoti Ince, çka dukej se i referohej zotit Kilicdaroglu./VOA
Top Channel