Tre turistë izraelitë kanë humbur orientimin në pyllin e fshatit Brret në Krujë.
Ata kishin humbur orientimin në pyll dhe njëkohësisht kishin pësuar një defekt në automjetin me të cilin po lëviznin në zonë.
Shërbimet e policisë mundësuan tërheqjen e automjetit të turistëve, duke përdorur një automjet të lartë deri në Krujë, pasi automjeti me të cilin ata udhëtonin, kishte pësuar defekt në zonën malore të fshatit Brret.
Ka qenë një telefonatë e bërë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Krujë, nga një turist izraelit, i cili ka kërkuar ndihmë, pasi kishte humbur orientimin në pyll, si pasojë e defektit të automjetit me të cilin udhëtonte bashkë me 2 shtetas të tjerë. Policia ka nisur menjëherë kërkimet për të lokalizuar 3 turistët.
Pas disa orësh kërkime, shërbimet e policisë kanë lokalizuar në pyllin e fshatit Brret, 3 shtetasit izraelitë, Sh. H., 38 vjeç, M. Y., 30 vjeç dhe M. H., 38 vjeç, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Turistët që u shoqëruan deri në qytetin e Krujës kanë falënderuar punonjësit e policisë që iu erdhën në ndihmë menjëherë pas telefonatës dhe për lëvizjen e automjetit të tyre nga vendi ku kishte pësuar defekt.
Top Channel