Socialistët sot janë në mbyllje të fushatës elektorale dhe kryeministri pasditen e sotme ka takuar qytetarët e Kamzës. 

Në mbështetje të kandidatit të PS-së atje, Rama ka ftuar të gjithë qytetarët të votojnë për Rakip Sulin, duke thënë se është i vetmi orator të cilin e ka zili.

Në bazë të fakteve dhe veprave që Suli ka bërë në Kamzës, Rama tha se ai është alternativa më e mirë për të çuar para qytetin.

Fjala e Ramës:

“Kamza, pasqyra domethënëse e një ndryshimi historik, që do të vijojë të shohë vetëm përpara

Fjala e kryetarit të PSSH Edi Rama në takimin elektoral përmbyllës me banorët e Kamzës:

Faleminderit! E vërteta është që Rakipi është i vetmi orator që unë kam zili sepse është i vetmi që flet më gjatë se unë, por përtej shakasë, do të doja të thosha disa fjalë dhe me lejen e çunave atje, do të doja që të thosha disa fjalë që besoj vlejnë jo thjesht për Kamzën, por besoj vlejnë shumë më tepër për shumë të tjerë.

Më mbush mendjen mua të votoj për Rakipin? Unë votoj në Tiranë, nuk votoj në Kamëz. Jam votues në Tiranë, por dua të them disa gjëra dhe e përsëris janë shumë të rëndësishme, jo për ju, as për ata që ndryshimin e Kamzës e kanë jetuar, e kanë parë dhe e prekin përditë, po janë të rëndësishme për shumë të tjerë për të parë dhe për të kuptuar diçka themelore që është provuar katërcipërisht në bashkinë e Kamzës që është vlera e votës.

Ju e dini shumë mirë që Kamza është drejtuar nga të tjerët qysh nga viti 1992, kur janë bërë zgjedhjet e para pluraliste vendore deri në vitin 2019, kur bashkia e Kamzës nuk pati garë sepse ata u tërhoqën dhe bashkinë e Kamzës filluam ta drejtojmë ne me Rakipin.

Bashkia e Kamzës filloi të drejtohet nga Rakipi me mbështetjen tonë duke bërë faktikisht dhe kjo nuk është diçka që e themi vetëm ne, këtë e thonë faktet, këtë e thonë veprat. Këtë e thonë punët e mëdha që janë bërë. Një transformim për Kamzën që nuk kishte ndodhur në të gjitha vitet e tjera të marra sëbashku! Një transformim në mënyrën sesi Kamza dhe kjo bashkësi e madhe njerëzish të ardhur nga të gjitha anët trajtohet. Në radhë të parë me respekt, me dashuri dhe me shumë durim për të prekur çdo qelizë, për të pasur vëmendje te çdo familje, te çdo derë dhe natyrisht, për të mos lënë asnjë familje të pamundur të ndjehet vetëm. Rakipi përmendi ato politikat sociale të Kamzës. Janë politika shembullore. Janë politika kuptimplota për atë që Rakipi përfaqëson, por edhe për të gjitha bashkitë tona, pastaj kujdesi për fëmijët, ajo që gjithmonë më ka shqetësuar thellë kur kam shkuar në Kamëz.

Në të gjitha vitet që unë merrem me këtë punë, ku ne gjithmonë e më tepër kemi pasur njerëz që na kanë dëgjuar, por asnjëherë nuk kemi pasur një shumicë që kemi votuar. Ajo që më ka bërë thellësisht përshtypje dhe që gjithmonë më ka lënë një ndjenjë shumë të keqe sa herë kam ardhur në Kamëz, ka qenë se Kamza ishte një vend ku nuk kishte vend për fëmijët. Nuk kishte vend për vajzat dhe djemtë, nxënëse dhe nxënës sepse në Kamëz nuk kishte asnjë infrastrukturë arsimore. Në Kamëz nuk kishte asnjë hapësirë sportive. Në Kamëz nuk kishte asnjë adresë për nënat që të çonin fëmijët e tyre dhe gjithmonë kam menduar që si i bëhet që të arrijmë të komunikojmë me ata që nuk janë thjesht votues, por janë prindër. Janë nëna, janë baballarë që duhet ta shohin votën e tyre si një investim në radhë të parë për fëmijët e tyre, por jo për fëmijët e tyre në kuptimin abstrakt, e ardhmja, por për fëmijët e tyre në kuptimin konkret. Një votë e cila duke u investuar në drejtimin e duhur, duke u investuar te njeriu dhe njerëzit e duhur mund të sjellë një çerdhe, mund të sjellë një kopsht, mund të sjellë një shkollë dhe ka qenë realisht e pamundur sepse barrikadat e ngritura të ndasisë politike, politika e përçarjes dhe urrejtjes, i gjithë sulmi i vazhdueshëm propagandistik kundër nesh dhe kundra meje personalisht duke thënë “Edi Rama nuk ju do”,  e të tjerë, e të tjerë, ato budallalliqet, e bënin shumë të vështirë kalimin e mesazhit tonë dhe mbi të gjitha krijimin e një momenti qetësie për t’i menduar gjërat me qetësi, pa tifozllik, pa ngjyra dhe ky moment erdhi sepse fati e deshi, fati i Kamzës e deshi që ata të cilët Kamzën e mbajtën prej fyti peng për gjithë ato vite, të dilnin nga rruga normale demokratike, të dilnin nga rruga normale e marrëdhënies me qytetarët në një demokraci dhe të braktisnin procesin zgjedhor.

Në atë moment ndodhi ajo që ishte gjëja që sot na ka dhënë mundësinë që përtej të gjithë fjalëve tona, Kamza të flasë vetë si pasqyra domethënëse e një ndryshimi historik. Kështu ndodh kur ne drejtojmë bashkitë, nuk ka sesi të ndodhë ndryshe sepse ne kemi një tjetër vizion, kemi një tjetër koncept, kemi një tjetër qasje për atë që është qeverisja dhe natyrisht për atë që është qeveria vendore. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe sepse kjo është një provë e dhënë, e dhënë dhe e stërdhënë në shumë e shumë vite dhe e njëjta gjë ka ndodhur në Tropojë.

Edhe në Tropojë, deri në vitin 2019, ne kurrë nuk e kemi patur drejtimin e bashkisë. Në 2019, për të njëjtën arsye si në Kamëz, na u dha mundësia dhe Tropoja në këto 4 vite ka ndryshuar më shumë se në të gjitha vitet e marra së bashku të atyre që me demek ishin bij të Tropojës, por në fakt ajo që tha Rakipi është ajo që duhet të dëgjojnë të gjithë demokratët, që këta kanë konsideruar gjithmonë që njerëzit e tyre më besnikë, mbështetësit e tyre më të zjarrtë, ndjekësit e tyre më të verbër i kanë në xhep dhe asnjëherë nuk kanë menduar sesi tua shpërblejnë me punë dhe me vepra, por gjithmonë kanë ditur sesi t’i rrëmbejnë nga mbrapa duke i ushqyer me helmin e përçarjes, të ndasisë dhe të urrejtjes.

Rakipi ka bërë punë të jashtëzakonshme për Kamzën, por puna më e madhe dhe vepra më historike e tij do të jetë në 14 maj sepse 14 maji do jetë ndarja e Kamzës me urrejtjen, kapërcimi nga vetë komuniteti i Kamzës i një ndasie të egër, i një ndasie të pashpirt, një ndasie të pabesë, një ndasie e cila është ushqyer vetëm nga nevoja për pushtet i një grushti njerëzish që e morën peng Partinë Demokratike qysh në krye të herës dhe që e katandisën Partinë Demokratike në kashtë dhe në koqe.

Unë dua t’ju them se ne kemi bërë për Kamzën shumë, unë jam shumë krenar që edhe një goditje shumë të rëndë si tërmeti ne arritëm ta kthejmë në një mirësi për gjithë ato familje që, lavdi zotit, nuk humbën jetë njerëzish siç ndodhi me disa prej familjeve sepse jetët e humbura nuk kthehen dhe që me durim dhe me punën e Rakipit, me mbështetjen tonë, sot janë që të gjithë të strehuar në shtëpi më të mira, më të forta dhe më të bukura, në shtëpi që përndryshe nuk do kishin mundur dot kurrë t’i blenin dhe të cilat i morën falas.

Këtu dua të them që procesi i rindërtimit është prova kuptimplotë e jo vetëm pasionit, jo vetëm angazhimit, jo vetëm këmbënguljes, por dhe aftësisë organizuese dhe aftësisë menaxhuese të kryetarit tuaj të bashkisë, i cili arriti ta bëjë Kamzën të parën bashki në gjithë projektin e rindërtimit, rrotë më rrotë me Shijakun, por Shijaku pati dhe shumë pallate për të rindërtuar, por arriti ta bëjë Kamzën të parën bashki ku të gjitha familjet hynë në shtëpi.

Kamza duhet t’i vlejë si shembull Shkodrës. Shkodra është një viktimë shumë e ngjashme. Kamza u çlirua në 2019 dhe unë kam shumë besim që ditën e dielë, në radhë të parë nënat e Kamzës, gratë e Kamzën, pavarësisht se çfarë bindjesh kanë, pavarësisht se çfarë kanë votuar përpara, do shkojnë në kutinë e votimit, në radhë të parë me vlerësimin për faktin që fëmijët e tyre shkojnë në shkolla që janë shkolla të gjeneratës së re të shkollave që, që nga Tirana dhe kudo tjetër, janë shkolla njësoj si në qytetet europiane madje janë si shkollat e mira të qyteteve europiane. Kam shumë besim që gratë e Kamzës do t’i marrin dhe burrat me vete që të votojnë jo sy mbyllur, jo për partinë, por të votojnë për sigurinë e vazhdimësisë së një projekti që ka vetëm një garant, që është Rakip Suli!

Të bësh të kundërtën është njësoj si të jesh duke fluturuar mbi një kalë, të ndalosh dhe pastaj t’ia hipësh një mushke. Natyrisht që nuk ka shans të shkosh përpara, por nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që të kuptohet që projekti i Rakipit dhe filozofia jonë të cilën Rakipi e mishëron më së miri në një komunitet që ka qenë kaq shumë i përçarë; nuk është as blu, nuk është as mavi por është kuq e zi, siç janë kuq e zi të gjithë banorët e Kamzës dhe projekti kuq e zi i Kamzës duhet të vazhdojë si një projekt bashkimi jo në një parti, por në një rrugë, të majtëve dhe të djathtëve, i socialistëve dhe demokratëve, dhe nëse sot demokratët nuk kanë një parti të cilës mund t’i besojnë, por i ofrohet një destinacion kthimi mbrapa dhe vetë-shkatërrimi, nuk është fare e nevojshme që të vijnë të votojnë Partinë Socialiste. Mjafton të votojnë Rakip Sulin dhe të kthehen në shtëpi, e kanë bërë detyrën.

Dua t’iu them të gjithë atyre që 30 vjet kanë shkuar pas Partisë Demokratike, 30 vjet nuk kanë dashur të dëgjojnë fare asgjë, 30 vjet kanë pranuar që, siç ju thashë, fëmijët e tyre të lindin, të rriten dhe të bëhen burra duke ecur nëpër baltë pa pasur kurrë derën e një shkolle të denjë, që bebet e sapolindura të mos e kenë kurrë një çerdhe të denjë; që fëmijët e vegjël  të mos kenë kurrë mundësinë e një kopështi dhe që nënat e tyre të jenë të detyruara të rrinë në shtëpi se s’dinë ku të çojnë fëmijët. 30 Vjet. Dakord, po pas 30 vjetësh është shumë e rëndësishme që të gjithë ata të kuptojnë që ky flamur kuqezi është i tradhëtuar ekzaktësisht prej atij, të cilit demokratët  i kanë besuar çdo gjë, sepse nëse flasim sot në Shqipëri për të djathtë, e djathta është një frymë, është diçka që vjen nga larg, vjen nga e shkuara, vjen nga Lufta Dytë Botërore, vjen dhe vitet e persekutimit komunist për të gjithë ata, të cilët nuk u rreshtuan me Partinë Komuniste, për të gjithë ata gjyshër e gjyshe, stërgjyshër e stërgjyshe të shumëkujt në Kamëz që kanë ardhur nga zona të ndryshme të vendit dhe që i ka të shënjuara në mendje pushkatimet, burgosjet, syrgjynosjet, internimet, perskutimet e familjes së vet.

Sot këta njerëz duhet t’i bëjnë pyetjen vetes, se është koha për t’ia bërë këtë pyetje; çfarë i ndau stërgjyshërit e tyre me të tjerët? Pse ata u persektuan, pse u vranë, pse u shkatërruan familjarisht? Pse pasardhësit e tyre, nipërit e mbesat e tyre s’vinin dot, as në Tiranë, se i thoshin do rrinë atje?

Sepse në mes ishte Amerika. Ata ishin me Amerikën dhe Perëndimin, nuk ishin me Rusinë, me Moskën, me Kremlinin dhe kjo i bëri ata të thonë jemi të djahtë, dhe kjo i bëri ata që janë sot në Shqipëri që respketojnë gjithë rrjedhën e familjes që të thonë që jemi të djathtë, ne nuk bëhemi kurrë me PS se këta janë socialistë.

Se sa komunist  jam  unë,  se sa i djathtë është ai që i ka marrë për hunde këta 30 vjet, kjo s’ka rëndësi. Rëndësi ka diçka tjetër, që ata njerëz që ishin arsyeja e persekutimit, ata stërgjyshër e gjyshër që u syrgjynosën e u burgosën, që u internuan, që u sakatuan, ata kurrë, kurrë nuk do shkonin të votonin në 14 maj “bashkë fitojmë”  me Salike Floririn dhe kundër Amerikës. Kurrë.

Dhe kush thotë, jo, ne s‘jemi kundër Amerikës , ne jemi kundër ambasadores amerikane, tallet në mënyrën më të poshtër më të gjithë ata, të cilët e kanë ndjekur me dekada, e kanë ndjekur për besnikëri, e kanë ndjekur për respekt ndaj vetes, ndaj familjes së tyre; e kanë ndjekur për ndershmëri dhe s’kanë marrë kurrë asgjë prapa sepse me aq shumë sa Kamza dhe me aq shumë sa Shkodra i kanë dhënë besim, i kanë dhënë mbështetje, i kanë dhënë gjithccka asaj partie, duhet të ishin bërë lule, jo të ishin ferri mbi tokë për njerëzit që jetojnë atje.

Dhe shikoni tani, se deri ku ka shkuar puna, se kjo është shumë e rëndësishme. Shumë, shumë e rëndësishme dhe shumë e thjeshtë për t’u kuptuar se ndoshta deri këtu, ok mund të vazhdojmë të diskutojmë, “jo po shiko se Amerika kështu e Amerika ashtu, jo po ne duam edhe Amerikën po duam edhe Bacën se Baca jonë është burrë i mire”, etj etj.

Sa burrë i mirë është Baca, këtë ma lini se e di vetë, nuk ka nevojë të më mbushni mendjen po ajo që po ju them është që po të ishte burrë i mirë Baca, nuk ia jepte mundësinë atij që ka dalë atje në Himarë me mbështetjen e Bacës dhe të Like Flrorit, dhe që kërkon vota ‘’bashkë fitojmë’’ për të helenizuar Himarën – thotë ai.

Kjo është diçka që PD nuk e ka bërë as në vitet ‘90, as në vitet 2000 kur ishin punët thikë më thikë me PS dhe kur në të gjithë bashkitë e tjera zgjedhjet bëheshin me konflikte të jashtëzakonshme. Njerëzit digjnin posterat e grushtonin njëri-tjetrin për një flamur në shtyllë, ama atje në Himarë, vajtën bashkë. PS dhe PD vajtën bashkë në Himarë për të mbështetur një kandidat të përbashkët, kundër dikujt që kishte tendenca antishqiptare, po ai kandidati atëherë kundër të cilit u vunë PS dhe PD, ishte një zotëri burrë, krahasuar me këtë maskara që ka dalë atje në Himarë dhe që me mbështetjen e Salike Floririt kërkon votën për “bashkë fitojmë”.

Kush fiton me të? Me të është e sigurtë që nuk fitojnë demokratët, nuk fiton e djathta shqiptare, e djathta për sovranitetin e respektin e për të gjitha, prandaj atë sovranitetin që ua shet Baca të djathtëve, të djathtët duhet ta kuptojnë mirë se nuk është sovranitet kur Baca do t’i shmanget përballjes me vulën që i ka vënë në ballë Amerika dhe pastaj është vasalitet kur çon atje një eksponent që vjen nga skutat më të errëta të armiqësisë së shqitarëve, i cili kërcënon dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, i cili kërcënon njerëzit që po nuk votuan, do t’ju heqë mundësinë për të shkuar në Greqi; i cili kërcënon emigrantët se po nuk votuan për të, do t’ju marrë letrat dhe do t’ua grisë. Edhe ua them të gjithë emigrantëve që dëgjojnë sekserët e këtij, që nuk ka Zot që atyre ua gris letrat se po të jetë puna për të pasur një avokat mbrojtës në Greqi, e dinë adresën, adresa është te Kryeministria.

Nuk është te një honxho-bonxho i rrethuar nga sekserë që ka mbetur i ngrirë nuk e di sa e sa dekada e shekuj në kohën e urrejtes së shqiptarëve.

Ne nuk  kemi nevojë për njerëz që nxisin urrejtje, ne duam miqësi. Ne, grekët i kemi vëllezër, por secili në shtëpinë e tij dhe në shtëpinë tonë shqiptarë dhe grekë janë të barabartë.

Nuk ka shans që të çohet dikush dhe të nëpërkëmbë shqiptarët, ashtu sikundër të gjithë shqiptarët respektojnë grekët, por në vendin e tyre, në shtëpinë e tyre, ky maskara që thotë ‘’Unë do vë në vend të drejtat e mohuara 60 vjet’’. Çfarë 60 vjet? Ky s’di të bëjë as llogari, se nuk di pse e llogarit 60 vjet?

Do vërë në vend të drejtat, do helenizojë Himarën. Do e kthejë Himarën në ku e di unë se çfarë.

Ja pra, atë atje ne nuk e kemi peshqesh as nga qeveria greke, as nga Greqia. Ne atë e kemi peshqesh nga ajo dyshe e “faqes së zezë’’ që ka nxjerrë maskat nëpër Shqipëri edhe këtu në Kamëz. E çfarë kërkon ai kundërshtari i Rakipit?

Çfarë do ai? Çfarë kërkon ai se nuk e njoh fare? Ja u them unë se ccfarë kërkon. Ai kërkon  që prapë të tërheqë për hunde demokratët, prapë të tërheqë prej hunde njerëzit e ndershëm dhe besnikë që i thonë vetes të djathtë dhe besojnë që janë të djathtë dhe pastaj të bëjë atë që është bërë gjithmonë; ta kthejë bashkinë e Kamzës në një strofull për një çetë njerëzish që i marrin fondet dhe i ndajnë mes vedi dhe që i lënë ujërat e zeza rrugëve dhe që ujin e pijshëm i thonë kamzalinjve, shkoni mbusheni me shishe.

Po natyrisht të gjitha këto, për çfarë? Për t’i marrë pastaj djemtë e Kamzës për për t’i futur nëpër autobuza e të thonë “Rama ik” atje në bulevard.

E dini mirë ju sa iki unë kur vijnë ata, se sa më shumë thonë ata ik, unë aq më shumë vij.

Por këtu nuk është çështja ime nuk është çështja e qeverisë fare dhe këtu unë jam për t’ju thënë juve, se me tha Rakipi: unë në këtë sallë, tha, i ke të gjithë bio nga Kamza, s’ka asnjë të importuar dhe mbi të gjitha janë të gjithë që janë të angazhuar në fushatë.

E nëse ju jeni të gjithë të angazhuar në fushatë, unë do t’i thosha atij kandidatit që ka përballë Rakipi “mos rri në Kamzë kur të dalë numërimi i votimit elektronik”. Kur të dalë numërimi i votimit elektronik të shkojë të rrijë tek doktori i zemrës se po mos i pushon zemra. Kamza nuk do bëhet socialiste në 14 maj. Kamza në 14 maj do të vulosë me vullnetin e vet jo për shkak se njëri është e tjetri s’është në garë që nuk është as blu as mavi, por është kuqezi me Rakip Sulin.

Rakip Suli do drejtojë Kamzën dhe 4 për vjet  duke bërë në 4 vitet e ardhshme me mbështetjen time dhe të qeverisë 4 herë më shumë se këto 4 vite.

Edhe një gjë të fundit kam. Më kanë thënë “Rama ik” më qindra here, por asnjëherë nuk e kam ndjerë frikën që ndjeva kur më erdhi Rakipi më tha: unë do të rri te dera atje dhe ti do punosh për Kamzën. Ai ishte i pari kërcënim nga dikush me një popull mbrapa.

Kështu që unë jam i bindur që ju, ju e keni ndarë mendjen, por jam i bindur që Kamza e ka ndarë mendjen dhe ka bërë shumë mirë që e ka ndarë mendjen. Nëqoftëse Kamza në orën 8:30 që del ai votimi elektronik se ky më thoshte: “aman aman elektronike të lutem, elektronike”. Se nëqoftëse Kamza në orën 8:30 do dalë siç thotë Rakipi e siç thoni ju… E di çfarë tha? (një qytetare nga salla) Kamza ka qenë heroike, ka mbajtur një Tiranë të tërë – tha, – ka ardhur koha të mbajë prapë Tiranën tha. Neqoftëse do ndodhi kjo Kamza mua ma ka ngrënë zemrën komplet dhe pastaj i vetmi i humbur i fushatës do jetë lali Eri në Tiranë se nga lali Eri pastaj do kalojmë me fokusin te Kipja i madh i Kamzës.

Ju hengsha zemrën. Shumë faleminderit! “

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA