Qindra raketa u lëshuan nga militantët palestinezë në Rripin e Gazës drejt Izraelit gjatë të mërkurës, të cilave shteti hebre iu përgjigj me një valë bombardimesh të ashpra.
Nga përshkallëzimi i fundit i konfliktit mes palëve, kanë mbetur të vrarë 23 palestinezë, përfshirë tre liderë të lartë militant dhe të paktën 10 civilë.
Njoftimet se Egjipti kishte ndërmjetësuar për fashitjen e këtij shpërthimi të ri të tensioneve, nuk i zbuten tensionet dhe në orët e mbrëmjes, luftimet u intensifikuan e asnjëra nga palët nuk dukej e gatshme të tërhiqej.
Mëngjesin e sotëm, ushtria izraelite nisi një sulm ajror që kishte në shënjestër kreun e skuadrës përgjegjës për raketat palestinez, Ali Ghali, i cili ishte fshehur në një banesë në lagjen Khan Younis, në Rripin e Gazës.
Ghali, një eksponent i njohur i Xhihadit Islamik, mbeti i vrarë së bashku me dy militant të tjerë. Zyrtarët izraelitë pretendojnë se ai ishte i përfshirë në sulmet e fundit me raketa ndaj shtetit hebre, por vetë grupi militant nuk e pohoi një gjë të tillë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se ky raund goditjesh, nuk ka përfunduar ende.
“Ne u themi terroristëve dhe atyre që i dërgojnë. Ju shohim kudo. Ju nuk mund të fshiheni, dhe ne zgjedhim vendin dhe kohën për t’ju goditur. Izraeli do ta vendosë se kur do të rikthehet qetësia”, u shpreh Benjamin Netanyahu.
Ekspertë të ndryshëm po i shohin me shqetësim këtë ashpërsim të luftimeve, e druhen se situate e krijuar po e shtyn gjithmonë e më shumë rajonin drejt një lufte të plotë.
Top Channel