Pasi u tërhoq nga deklarata publike se do ti largonte forcat e tij nga Bakhmuti, kreu i Wagnerit rus, Yevgeny Prigozhin kaloi sërish në një sulm, këtë radhë verbal shënjestra e të cilit ishte presidenti francez Emmanuel Macron.
Shefi i Elizesë ngjalli zemëratën e Prigozhinit me cilësimin e grupit të tij të mercenarëve si një organizatë terroriste. Teksa i përgjigje një pyetjeje të gazetarëve, ai doli me pretendimin se Wagner po shpëtonte jetë njerëzish në Afrikën Qendrore, ku i ka forcuar ndjeshëm pozitat duke zvogëluar ndikimin e pranisë së Francës në rajon.
“Ne mund t’ia shkulim dhëmbët me pinca Macronit dhe, në përgjithësi, mund të shkulim dhëmbët e të gjithëve atyre që nxjerrin nga goja fëlliqësira rreth Wagnerit”, u shpreh Yevgeny Prigozhin.
Dy ditë më parë, ligjvënësit francezë i bënë thirrje BE-së ta regjistrojë Wagner-in në listën e grupeve terroriste të bllokut dhe të implementojë më shumë mekanizma ligjorë, për të goditur aktivitetin financiar të grupit në Europë. Vetë Prigozhin u sanksionua nga blloku europian prillin e vitit të kaluar.
Benjamin Haddad, një deputet që i përket partisë së Macronit i tha “Politicos” se anëtaret e Wagnerit nuk janë thjesht mercenarë, por kanë një vullnet për të masakruar civilët për përfitime politike dhe për të destabilizuar institucionet.
Top Channel