Kreu i Rithemelimit Sali Berisha, gjatë një takimi me anëtarët e Departamentit “Brain Gain” në selinë blu, ka folur për sukseset e PD-së si parti politike.
Sipas Berishës, Partia Demokratike ka një trashëgimi të jashtëzakonshme, megjithëse krahas sukseseve ka edhe të metat e veta.
Ish-kryeministri përmendi disa nga arritjet gjatë qeverisjes së të djathtëve, mes të cilave edhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. PD, tha Berisha, është një lokomotivë e reformave të tregut, është një lokomotivë e proceseve integruese dhe një gardiane e vokacionit perëndimor të vendit.
“PD ka një trashëgimi me suksese dhe të metat e veta. Por ka një trashëgimi të jashtëzakonshme, pasi ajo mori vendin më të varfëruar të Europës dhe një nga tre vendet më të varfra në botë, dhe e nxori në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, çka përbënte arritje epokale të këtij vendi.
E anëtarësoi në NATO dhe arritje të tjera.
Nuk dua të ndalem në koment, por gjykoj se është një libër jashtëzakonisht i çmuar. Është një libër që përveçse do shpërndahet, do publikohet në faqen e PD. Është një libër që frymëzon demokratët për një të ardhme edhe më të mirë edhe se kjo, për suksese edhe më të mëdha se këto që ka realizuar.
Është një dëshmi se PD është një lokomotivë e reformave të tregut, është një lokomotivë e proceseve integruese dhe një gardiane e vokacionit perëndimor të vendit.
Jemi në prag të këtyre zgjedhjeve, natyrisht nuk mund të mos themi se këto 10 vite, po t’i karakterizojmë në rrafshin filozofik, kanë qenë vite të një kohe të ndaluar, në kuptimin që progresi, zhvillimi i Shqipërisë, avancimi i këtij procesi që është jetik për Shqipërinë, u ngadalësua në mënyrë të jashtëzakonshme, njohu edhe prapa-kthehu.
Shqipëria, që në vitin 2013 ishte vendi me rrogat më të larta në rajon, u katandis sërish në vendin më të varfër me rrogat më të ulëta në rajon me vetëm 20 përqind të qytetarëve të saj që marrin ndihmë ekonomike dhe janë në nevojë për ndihmë ekonomike”- tha Berisha.
Top Channel