Një juri në Manhattan arriti të martën në përfundimin se ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump duhet të paguajë 5 milionë dollarë dëmshpërblim për abuzim seksual ndaj ish-gazetares E. Jean Carroll në vitet 1990 dhe shpifje ndaj saj, duke e quajtur gënjeshtare.
Ja një përmbledhje e asaj që mund të ndodhë më tej:
A DO TA APELOJË ISH-PRESIDENTI TRUMP VENDIMIN?
Po. Avokati i zotit Trump, Joe Tacopina tha se ai do t’i sfidojë vendimet e gjykatësit, Lewis Kaplan, të cilat i quajti të padrejta. Për të pasur sukses në apel, zoti Trump duhet të provojë se gjykatësi Kaplan ka bërë gabime në zbatimin e ligjit në vendime të ndryshme dhe se një gjë e tillë e privoi atë nga një gjykim i drejtë.
Avokati Tacopina u tha gazetarëve se mes të tjerash ai do të apelojë vendimin e gjykatësit Kaplan për të lejuar anëtarët e jurisë që të dëgjonin kasetën e emisionit “Access Hollywood”, ku zoti Trump dëgjohej duke folur për prekjen e grave në organet gjenitale pa pëlqimin e tyre. Anëtarët e juristë panë gjithashtu video të zotit Trump ndërsa ai i mbronte ato komente.
Ekspertët thonë se ish-presidenti Trump nuk duket të ketë argumenta të forta për apelimin, duke vënë në dukje përvojën e gjykatësit Kaplan dhe se niveli i lartë profesional i avokatëve nga të dyja palët duket se ka siguruar një gjykim të drejtë.
Avokatja e zonjës Carroll, Roberta Kaplan, e cila nuk ka lidhje me gjyqtarin Kaplan, tha në emisionin “Good Morning America” të televizionit ABC të mërkurën se zoti Trump kishte absolutisht asnjë shans në apel, sepse gjyqtari bëri maksimumin për të siguruar që procedurat të ndiqeshin në mënyrë rigoroze.
A MUND TË PAGUAJË ZOTI TRUMP 5 MILION DOLLARË?
Ndoshta. Përveç rezidencës Mar-a-Lago në Florida, zoti Trump ka në pronësi disa fusha golfi në SHBA, Skoci dhe Irlandë.
Ish-presidenti nuk mund të përdorë fondet e fushatës për të paguar, por ai mund të përpqiet të grumbullojë fonde nga mbështetësit e tij që besojnë pretendimet e tij se çështja ishte orkestruar nga kundërshtarët politikë.
Përkrahësit e zotit Trump kanë dhuruar pa hezitim për kauzat e tij në të kaluarën. Gjatë presidencës së tij, ata dhanë më shumë se 25 milionë dollarë për një fushatë të organizuar nga ish-këshilltari i tij, Steve Bannon për të mbështetur ndërtimin e një muri në kufirin me Meksikën.
A DO TË PAGUAJË ISH-PRESIDENTI TRUMP DHE ÇFARË NDODH NËSE NUK PAGUAN?
Zoti Trump mbajti një qëndrim sfidues pas vendimit, duke thënë se ai nuk e kishte takuar kurrë zonjën Carroll dhe duke këmbëngulur në pretendimin se padia kishte si qëllim ta pengonte atë në përpjekjet për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
Ai ka paguar në raste të mëparshme për t’u dhënë fund proceseve gjyqësore, ndërsa ka mohuar akuzat kundër tij.
Në vitin 2018, ai u pagoi 25 milionë dollarë studentëve të Universitetit Trump që nuk ekziston më, të cilët pretenduan se ishin mashtruar për të paguar mijëra dollarë për seminare të rreme biznesi. Ai nuk pranoi asnjë shkelje sipas marrëveshjes.
Zoti Trump ka të ngjarë të sigurojnë një urdhër gjykate sipas së cilit ai nuk duhet ta paguajë zonjën Carroll ndërsa vazhdon procesi i apelit.
Zonja Carroll dhe avokatët e saj kanë një sërë opsionesh ligjore për ta marrë atë shumë nga pronat ose burime të tjera të të ardhurave të tij, nëse zoti Trump refuzon të paguajë.
Zonja Carroll tha në CNN të mërkurën se çështja e saj “nuk kishte të bënte me paratë”, por përkundrazi me vënien në vend “të emrit tim”.
A DO TË NDIKOJË KJO POLITIKISHT TEK ZOTI TRUMP?
Kjo nuk është ende e qartë, por disa strategjistë politikë thanë se ndikimi ka të ngjarë të jetë i vogël. Mështetja ndaj zotit Trump me votuesve të mundshëm republikanë u rrit kur prokurorët e Manhatit e paditën atë për falsifikim të dhënash të biznesit në lidhje me pagesat në këmbim të heshtjes që ai dyshohet se ka bërë për një aktore filmash pornografikë. Fushata e zotit Trump njoftoi se kishte mbledhur 14.5 milionë dollarë gjatë tre muajve të parë të këtij viti dhe se kontributet u përshpejtuan ndjeshëm pasi ai tha se do të paditej penalisht në mes të marsit. Por disa analistë politikë thonë se vendimi mund t’i dëmtojë shanset e zotit Trumpin me gratë me arsim universitar që jetojnë në rrethina, një grup demografik kyç.
SA MUND TË ZGJASË PROCESI I APELIMIT?
Një apel mund të zgjidhet shpejt, por gjykatave federale të apelit ndonjëherë u duhet një vit ose më shumë për të dhënë vendime. Zonja Carroll ka një tjetër padi për shpifje kundër Trump, e cila ka ngecur në apele që kur ajo e paraqiti atë në 2020, megjithëse ajo përbën një sfidë unike ligjore. Zonja Carroll e akuzoi zotin Trump vetëm për shpifje në atë rast sepse afati i kufizimeve për pretendimin e saj për sulm seksual kishte skaduar.
Ajo ngriti padinë e saj të dytë në vitin 2022 pasi Nju Jorku miratoi një ligj që lejon paditjen për pretendime për sulm seksual kur në rrethana të tjera, hapësira për ta bërë këtë do të ishte mbyllur.
Një gjykatë federale e apelit anuloi një vendim të gjykatësit Kaplan në atë çështje në fillim të këtij viti dhe ia ktheu atij përsëri për të vendosur nëse në këtë rast zbatohet një ligj që mbron punonjësit e qeverisë nga pretendimet për shpifje.
ME ÇFARË ÇËSHTJESH TË TJERA LIGJORE PËRBALLET ZOTI TRUMP?
Përveç çështjes për para në këmbim të heshtjes në Manhatan, ish-presidenti Trump përballet me dy hetime penale të mbikëqyrura nga prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga detyra dhe përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Ai gjithashtu përballet me një hetim penal nga një prokuror në shtetin e Xhorxhias në lidhje me përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020 në atë shtet.
Ish-presidenti Trump ka mohuar të gjitha akuzat në këto çështje dhe e ka quajtur veten viktimë të një gjuetie shtrigash të motivuar politikisht. /VOA
Top Channel