1 miliard euro plus për refugjatët/ Berlini zyrtar dorëzohet përpara landeve

11/05/2023 08:26

Pas një takimi maratonë prej gati tetë orësh, kancelari gjerman Olaf Scholz u dorëzua përpara kërkesave të krerëve të landeve lidhur me një shtim të financimeve në mesin e shqetësimeve se nuk po e përballojnë dot fluksin e emigrantëve.

Edhe pse pati kundërshti e ndërprerje të shumta, në fund kompromisi u arrit. Qeveria Federale në Gjermani premtoi të japë këtë vit një miliard euro më shumë për strehimin dhe trajtimin e refugjatëve. Shtetet federale do të mbështeten në lehtësimin e barrës shtesë të komunave të tyre, siç thuhet në vendimin e Samitit të Refugjatëve.

Deri më tani këtë vit, qeveria federale ka vënë në dispozicion të landeve 2,75 miliardë euro shtesë. Në total, shpenzimet për refugjatët në Gjermani, përfshirë edhe strehimin e refugjatëve nga Ukraina priten të jenë 16 miliardë euro. Ekzekutiv gjerman e theksoi megjithatë se kjo ndihmë për landet nuk është e përhershme, edhe pse drejtuesit e 16 landeve federale kishin insistuar për një gjë të tillë.

Vendimi mbi këtë temë u shty për në takimin e radhës mes tyre dhe kancelarit, i llogaritur të mbahet në muajin nëntor. Qeveria federale i ishte referuar më parë miliarda kontributeve që kishte bërë tashmë dhe fillimisht i kishte refuzuar pagesat shtesë.

Por landet, si kurrë më parë, bashkuan forcat përballë kancelarit dhe kërkuan ndihmë, për përballimin e kostove gjithnjë e më të larta dhe numrin gjithnjë e më të lartë të refugjatëve që hyjnë në Gjermani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA