Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka zhvilluar sot takim zyrtar me homologun e tij polak, Andrzej Duda.
Përmes një komunikate për shtyp, Presidenca njofton se Begaj i shprehu mirënjohjen Dudës për solidaritetin që Polonia dhe populli polak treguan me shqiptarët për kapërcimin e dëmeve të tërmetit shkatërrimtar të Nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë Covid-19.
Po ashtu, në fokus të bisedimeve kanë qenë bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar, si dhe mbrojtja.
“Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira politike e tradicionalisht miqësore të rikonfirmuara edhe përmes kësaj vizite të mikut Duda në Tiranë.
I shpreha mirënjohjen Presidentit Duda për solidaritetin që Polonia dhe populli polak treguan me shqiptarët për kapërcimin e dëmeve të tërmetit shkatërrimtar të Nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë Covid-19.
Me homologun Duda u ndalëm tek bashkëpunimi ekonomik e tregtar i cili megjithëse ka zhvillime pozitive dhe një kuadër të plotë ligjor është larg mundësive të dy vendeve.
Vlerësuam bashkëpunimin në fushën e turizmit ku një kontribut të madh kanë dhënë lidhjet direkte të fluturimeve mes Polonisë dhe Shqipërisë. Si dy vende anëtare të NATO-S Shqipëria dhe Polonia kanë bashkëpunim shumë të mirë në fushën e mbrojtjes në nivel strategjik dhe operacional.
Vlerësuam gjithashtu bashkëpunim shumë të mirë në fushën e arsimit dhe shkencës si aspekt tjetër i rëndësishëm i marrëdhënieve dypalëshe. Një vëmendje shumë të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë ku shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë.
Shpreha mirënjohje për kontributin që Polonia ka dhënë për paqen dhe stabilitetin e rajonit në Ballkanin Perëndimor.
Vëmendje të veçantë i kushtuam sfidës më të madhe për rendin botëror dhe sistemin e vlerave tona të përbashkëta që po testohen e kërcënohen nga një prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara”- tha Begaj.
Top Channel