Zgjedhjet që mund të ndryshojnë drejtimin e Turqisë

10/05/2023 17:31

Në vitin kur Republika turke shënon 100-vjetorin, shteti po vëzhgohet nga afër nëse opozita e bashkuar mund të ketë sukses të rrëzojë nga pushteti liderin gjithnjë e më autoritar të këtij vendi anëtar të NATO-s.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, që do të mbahen më 14 maj, mund të bëjnë që qëndrimi në pushtet i presidentit Recep Tayyip Erdogan të hyjë në dekadën e tretë, apo ta vendosin shtetin në një drejtim të ri.

Kemal Kilicdaroglu, lideri i subjektit sekular të qendrës së majtë, Partisë Popullore Republikane apo CHP, është kundërkandidati kryesor që synon ta mposhtë Erdoganin, që ka qëndruar për 20 vjet në pushtet.

Kilicdaroglu, 74-vjeçar, është kandidati i përbashkët i një aleance prej gjashtë partish, që është zotuar se do të ndryshojë sistemin ekzekutiv presidencial që Erdogan ka instaluar, dhe ta kthejë shtetin në një demokraci parlamentare.

Sikurse edhe aleanca opozitare, Kilicdaroglu ka fituar mbështetjen e partisë pro-kurde të shtetit, që ka pothuajse 10 për qind të votave. Sondazhet i kanë dhënë atij një përparësi të lehtë. Gara do të jetë e ngushtë dhe ka të ngjarë që të vendoset në rundin e balotazhit, të caktuar më 28 maj.

Erdogan ka humbur mbështetjen që kishte për shkak të gjendjes ekonomike dhe krizës me koston e jetesës. Qeveria e tij, po ashtu, është kritikuar për përgjigjen e ngathtë pas tërmeteve shkatërruese që goditën më herët gjatë këtij viti jugun e Turqisë dhe lanë të vdekur dhjetëra mijëra persona.

“Për herë të parë në 20 vjet që kur Erdogani ka ardhur në pushtet, ai po përballet me sfidë të vërtetë zgjedhore, të cilën mund ta humbasë”, tha Ozgur Unluhisarcikli, drejtor i zyrës në Ankara të Fondit gjerman Marshall. Ai shtoi se në zgjedhje po garojnë dy vizione.

“Në njërën anë, e kemi vizionin e presidentit Erdogan për një shtet të sigurisë, një shoqëri monoteiste, për pushtet të konsoliduar në duart e ekzekutivit”, tha ai.

“Në anën tjetër, ka një vizion, që e përfaqëson Kilicdaroglu, për një Turqi më pluraliste, një vizion ku vendi bëhet gjithnjë e më demokratik… dhe ku ka një ndarje të qartë të pushtetit midis ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit”, shtoi Unluhisarcikli.

Erdogan po garon për mandatin e tretë presidencial, pasi paraprakisht kishte shërbyer për tri mandate si kryeministër. Lideri 69-vjeçar nga partia konservatore dhe fetare, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim apo AKP, veçse është lideri që ka shërbyer më së gjati në Turqi. Një politikan mjaft përçarës, Erdogan ka përqendruar fushatën e tij zgjedhore në arritjet në të shkuarën, duke e paraqitur veten si politikani i vetëm që mund të rindërtojë shtetin pas tërmeteve të 6 shkurtit që goditën jugun e Turqisë dhe vranë mbi 50.000 persona.

Ai, po ashtu, është përfshirë në shpenzime të mëdha para zgjedhjeve, përfshirë edhe rritjen e pagës minimale dhe pensioneve, në tentim për të zbutur efektet e inflacionit.

Gjatë fushatës zgjedhore, Erdogan ka tentuar të paraqesë opozitën si bashkëpunëtore me “terroristët”, por edhe fuqitë e huaja, që sipas tij, duan ta dëmtojnë Turqinë. Në përpjekje për të konsoliduar bazën e tij konservatore, ai po ashtu ka akuzuar opozitën se mbështet të drejtat “devijante” të komunitetit LGBTQ. Të dielën, qindra mijëra mbështetësve të tij iu shfaq një video e rreme, ku gjoja paraqitej një komandant i Partisë së paligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, duke kënduar këngën e fushatës së opozitës.

Kilicdaroglu, ndërkaq, po shihet si një politikan që ka arritur të bashkojë opozitën që më herët ishte e ndarë. Aleanca Kombëtare e tij, e përbërë nga gjashtë parti ku bëjnë pjesë islamistët dhe nacionalistët, është zotuar se do të përmirësojë gjendjen e demokracisë dhe do të heqë dorë nga shtypja ndaj lirisë së shprehjes dhe disidentëve, që është aplikuar nën udhëheqjen e Erdoganit.

Janë edhe dy kandidatë të tjerë për president, por që vlerësohet se nuk do të marrin mbështetjen e nevojshme për të fituar. Ata janë Muharrem Ince, ish-lider i CHP-së, i cili kishte humbur zgjedhjet presidenciale ndaj Erdoganit më 2018, dhe Sinan Ogan, ish-akademik i cili ka mbështetjen e një partie nacionaliste, që është kundër migrantëve. Ince, që udhëheq Partinë Atdheu, është kritikuar nga mbështetësit e Kilicdaroglut, të cilët e kanë akuzuar se ka ndarë votat dhe po bën që zgjedhjet të shkojnë në rundin e balotazhit.

Çështjet kyçe në këto zgjedhje janë ekonomia dhe inflacioni i lartë. Në Stamboll, pronari i një çajtoreje, Cengiz Yel, tha se ai do të votojë “për ndryshim” për shkak të trajtimit jo të duhur të ekonomisë nga Qeveria.

“Ne brengosemi për qiranë, për rrymën dhe për faturat e tjera”, tha Yel. “Prej vitit të kaluar, unë e kam nisur çdo muaj me më shumë borxhe”.

Të tjerët shprehin dashurinë e tyre për liderin që ka përmirësuar infrastrukturën e shtetit dhe ka larguar shumë njerëz nga varfëria në vitet e para të sundimit të tij. “E dua shtetin tim. Dua të jem me liderin që i shërben shtetit të tij”, tha Arif Portakal, 65 vjeç, mbështetës i Erdoganit nga Stambolli.

Fushata zgjedhore është përshkruar nga disa incidente të dhunshme. Të dielën, protestuesit në qytetin lindor të Erzurumit hodhën gurë ndaj kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, që po bënte fushatë në emër të Kilicdaroglut. Të paktën shtatë persona u lënduan në këtë incident.

Votuesit po ashtu do të votojnë për anëtarët e rinj të Parlamentit prej 600 anëtarësh. Opozita duhet të fitojë shumicën nëse dëshiron të shtyjë përpara disa prej reformave demokratike që i ka premtuar.

Mbi 64 milionë persona, përfshirë edhe 3.2 milionë pjesëtarë të diasporës turke, kanë të drejtë vote. Mbi 1.6 milion persona veçse kanë votuar jashtë vendit. Tradicionalisht, dalja në zgjedhjet turke është e lartë.

Ka shqetësime se si do të votojnë votuesit në mesin e 3 milionë personave që janë zhvendosur nga 11 provincat e goditura nga tërmetet. Zyrtarët kanë thënë se vetëm 133.000 persona që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre janë regjistruar që të votojnë në lokacionet e reja ku janë vendosur. Disa parti politike dhe organizata joqeveritare kanë planifikuar që të transportojnë të zhvendosurit në zonat e goditura nga tërmetet, me qëllim që ata të mund të votojnë.

Po ashtu, shumë persona kanë vënë në pikëpyetje nëse Erdogan do të pranonte humbjen eventuale. Më 2015, Erdogan besohet se ka punuar fshehurazi për të bllokuar bisedimet për formimin e koalicionit, pasi partia e tij humbi shumicën parlamentare në zgjedhje.

Partia e tij fitoi shumicën pas përsëritjes së zgjedhjeve disa muaj më vonë. Dhe më 2019, partia udhëheqëse ndryshoi rezultatet e zgjedhjeve lokale në Stamboll, pasi AKP-ja humbi postin e kryetarit të qytetit. Atëbotë, megjithatë, partia e Erdoganit pësoi humbje poshtëruese gjatë përsëritjes së zgjedhjeve.

Vëzhguesit po presin të shikojnë nëse opozita e organizuar mund t’i tejkalojë sfidat në shtetin ku lideri ka një fuqi të madhe të kontrollit mbi mediat, gjyqësorin dhe trupin zgjedhor, dhe të arrihet një ndryshim paqësor i regjimit.

“Bota po shikon sepse ky, po ashtu, është eksperiment, sepse Turqia, sikurse edhe disa shtete të tjera, qe një kohë është në rrugën autoritare”, tha Unluhisarcikli. “Dhe nëse kjo trajektore mund të ndryshohet vetëm përmes zgjedhjeve, mund të jetë shembull edhe për shtetet e tjera”./Radio Evropa e Lirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA