Këtë fundjavë, turqit do të shkojnë drejt kutive të votimit për të vendosur nëse Presidenti Erdogan do të vazhdojë edhe për një dekadë të tretë në pushtet, apo nëse drejtimi i vendit duhet të ndryshojë.
Kandidati kryesor i opozitës, Kemal Kilicdaroglu i qendrës së majtë mbështetet nga një koalicion opozitar i përbërë nga gjashtë parti të ndryshme. Opozita ka premtuar reforma të gjera demokratike dhe anketimet i japin një avantazh të lehtë zotit Kilicdaroglu.
Turqia do të mbajë të dielën zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që mund të zgjasin qëndrimin në pushtet të Presidentit Erdogan me një tjetër dekadë, ose mund ta vendosin vendin në një kurs të ri.
Rivali kryesor që po përpiqet ta largojë zotin Erdogan pas 20 vitesh në pushtet është Kemal Kilicdaroglu, udhëheqës i Partisë Popullore Republikane (CHP), një parti laike e qendrës së majtë.
“Kandidati kryesor i opozitës është sigurisht udhëheqësi i CHP-s, partisë kryesore opozitare, Kemal Kilicdaroglu. Fuqia e tij është se i përket rrymës tradicionale dhe kjo do të thotë se është ndoshta më i përgatituri nga kandidatët e tjerë të opozitës për të rivendosur sistemin burokratik dhe institucionet e Turqisë”, thotë Ahmet Kasim Han, profesor në Universitetin Beykoz.
Ai është kandidati i përbashkët i një aleance të gjashtë partive, që është mbiquajtur Tryeza e të Gjashtëve.
“Ne, gjashtë udhëheqësit jemi së bashku. Do të fitojmë duke qenë të bashkuar… Do të fitojmë dhe do ta nxjerrim Turqinë në dritë”, u tha mbështetësve zoti Kilicdaroglu.
Opozita ka premtuar shpërbërjen e sistemit presidencial ekzekutiv të krijuar nga zoti Erdogan dhe rikthimin e vendit tek demokracia parlamentare me mekanizma kontrolli dhe balance.
“Opozita është shumëngjyrëshe dhe do të formojë një parlament të ardhshëm me ngjyra të shumta, pozicione ideologjike dhe debate. Kjo do ta detyrojë edhe vetë sistemin të jetë më konsensual pasi shqetësimet e ndryshme, interesat e ndryshme të pjesëve të ndryshme të shoqërisë do të përfaqësohen në këtë opozitë që synon të marrë qeverisjen”, thotë profesor Han.
Opozita ka fituar edhe mbështetjen e partisë pro-kurde të vendit, e cila fiton rreth 10% të votave. Në anketime, zoti Kilicdaroglu rezulton me një avantazh të lehtë përballë zotit Erdogan. Në garë janë edhe dy kandidatë të tjerë shanset e të cilëve konsiderohen të pakta.
“Janë dy kandidatë të tjerë më pak të rëndësishëm, njëri është Sinan Ogan, një nacionalist radikal. Dhe tjetri është Muharrem Ince, që ka kandiduar si kandidat i opozitës për president në vitin 2018”, thotë Soli Ozel, profesor në Universitetin Kadir Has.
Zoti Ince është kritikuar nga mbështetësit e zotit Kilicdaroglu që e akuzojnë për ndarjen e votës dhe rrjedhimisht vajtjen në balotazh.
“(Kandidati Ince) mban çelësin nëse do t’i përfundojmë zgjedhjet me raundin e parë, apo nëse do të shkojmë në raundin e dytë”, thotë profesor Ozel.
Çështja kryesore në zgjedhje është ekonomia dhe inflacioni i lartë që ka ulur fuqinë blerëse të familjeve turke.
“Qeveria e tanishme ka qenë në pushtet prej aq kohësh sa mundem ta kujtoj. Është përfundimisht koha që gjërat të ndryshojnë, gjërat duhet të përmirësohen. Besimi ynë është absolut. Janë zgjedhjet e fundit. Mezi po presim”, thotë Burcu Umit, mbështetëse e opozitës.
Votuesit turq do të përzgjedhin një parlament të përbërë nga 600 deputetë. Opozitës i duhet të fitojë të paktën një shumicë të thjeshtë për të qenë në gjendje që të zbatojë disa prej reformave demokratike që ka premtuar. Mbi 64 milionë turq kanë të drejtën e votës, ndër ta edhe 3.2 milionë turq të diasporës, nga të cilët 1.6 milionë kanë marrë pjesë tashmë në votime të hershme jashtë vendit, ose në aeroporte./VOA
Top Channel