SHBA, ligjvënësi Santos përballet me padi penale

10/05/2023 08:51

Prokurorët federalë kanë ngritur padi penale kundër ligjvënësit republikan George Santos, i cili ka pranuar se ka gënjyer në rezymenë e tij, por ka kundërshtuar thirrjet për të dhënë dorëheqjen, raportoi kanali televiz CNN të martën, duke cituar tre burime.

Zoti Santos, anëtar i Dhomës së Përfaqësueve, pritet të paraqitet të mërkurën në gjykatën federale të Nju Jorkut, ndërsa akuzat nuk janë bërë ende publike, njofton rrjeti CNN.

Një zëdhënës i zyrës së Prokurorit të Nju Jorkut nuk pranoi të komentonte. Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se zoti Santos kishte thënë gjatë një interviste të shkurtër me telefon se nuk ishte në dijeni të akuzave.

“Ky është lajm për mua”, citohet të ketë thënë zoti Santos për Associated Press. “Ju jeni të parët që ma thoni këtë”.

Zyra e zotit Santos nuk iu përgjigj një kërkese për koment dhe avokati i tij nuk mund të kontaktohej menjëherë.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy u shpreh se nuk do të komentonte për zotin Santos, duke thënë: “Në Amerikë, ju jeni i pafajshëm derisa të provohet faji”.

Rrjeti CNN njoftoi se ende nuk dihej natyra e akuzave kundër zotit Santos. Megjithatë, prokurorët federalë kanë zhvilluar hetime lidhur me pretendimet për mashtrime në fushatën s zotit Santos.

Në muajin mars, Komisioni i Etikës në Dhomën e Përfaqësuesve filloi një hetim ndaj ligjvënësit republikan nga Nju Jorku, George Santos, lidhur me pretendimet se ishte përfshirë në aktivitete të paligjshme gjatë fushatës së tij në vitin 2022.

Ligjvënësi ka pranuar se ka sajuar pjesën më të madhe të biografisë së tij. Zoti Santos fitoi garën për një vend në Kongres në nëntor me një diferencë prej 7.5 për qindësh ndaj kandidatit demokrat Robert Zimmerman. Por fitorja e tij u venit shpejt nga njoftimet në media që tregonin se personi që ai prezantoi para votuesve ishte kryesisht i sajuar.

George Santos ka thënë se është diplomuar në Universitetin e Nju Jorkut dhe Kolegjin Baruch, ndonëse në këto institucione arsimore nuk ekziston asnjë informacion për të. Ai ka pretenduar gjithashtu se ka punuar në kompanitë financiare, “Goldman Sachs” dhe “Citigroup”, gjë që ka rezultuar të jetë e pavërtetë.

Po kështu zoti Santos rezulton të ketë gënjyer edhe për origjinën e tij duke thënë se është hebre dhe se gjyshërit e tij arritën t’u shpëtojnë nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA