Dy vrasje masive brenda një jave po shndërrohen në një çështje të nxehtë politike në Serbi. Presidenti Aleksandar Vuçiç u përgjigj me shpifje ndaj demonstruesve të opozitës.
“Njerëzit në Serbi nuk kanë qenë tepër të lumtur as para vrasjeve masive që kanë ndodhur së fundi,” thotë shitësja 33-vjeçare Ana Paviç, e cila është shtatzënë dhe me dy fëmijët e saj të vegjël është futur në kolonën e protestës kundër pushtetit aktual. “Përveç kësaj, pushteti ynë dështon kur ndodh diçka e tillë. “Me “diçka të tillë”, Paviç nënkupton dy vrasjet masive të javës së kaluar. Të mërkurën (03.05.2023) një djalë 13-vjeçar ka vrarë me armë zjarri tetë nxënës dhe rojen e një shkollë fillore në Beograd. Të enjten (04.05.2023) një 21-vjeçar qëlloi pa dallim mbi njerëzit në disa fshatra afër Beogradit. Bilanci – tetë të vdekur. Kjo është arsyeja pse Ana Paviç doli në rrugë në Beograd, së bashku me dhjetëra mijëra demonstrues. Protesta ka pasur edhe në qytete të tjera. Në pyetjen e gazetarit të DW, se çfarë nuk funksionon në Serbi, Paviç përgjigjet: “Gjithçka – drejtësia, bashkëndjenja, thjesht gjithçka. Më në fund duhet të ndryshojmë diçka.”
Vuçiç flet për “frikacakë”
Protesta paqësore e së hënës në mbrëmje (08.05.2023) u organizua nga disa parti opozitare ideologjikisht shumë të ndryshme – nga e majta ekologjiste e deri tek e djathta nacionaliste. Një sfidë e madhe për konservatorët në pushtet, “Partinë Përparimtare Serbe” dhe njeriun e fortë të saj, presidentin Aleksandar Vuçiç.
Vuçiç e ka drejtuar Serbinë me një grusht të hekurt për njëmbëdhjetë vjet me radhë, herë si kryetar qeverie e herë si president. Ai mban shumicën e mediave nën kontroll. Vuçiç manovron mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë, ndërsa brenda vendit ai paraqet veten si figurën më të rëndësishme.
Që nga vrasja e parë e të mërkurës së kaluar, presidenti i është drejtuar popullit të tij katër herë. Ai foli edhe kundër kritikëve të tij në vend. Opozita ka “abuzuar brutalisht me ndjenjat e njerëzve”, tha Vuçiç pas protestës në kanalin televiziv pro-rus “Happy”: “Unë nuk do të ik nga këta frikacakë”, gjëmonte ai. “Nëse është e nevojshme, do të kemi zgjedhje të reja në të gjitha nivelet”.
Vuçiç ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme disa herë për të ruajtur pushtetin. Me këto zgjedhje ai ka fituar shumicën dërmuese të votave duke mposhtur opozitën e përçarë. Akuzat kundër Vuçiçit janë masive: Partia e tij Përparimtare shpërndan vende pune, blen vota, kontrollon median dhe shpërdoron burimet shtetërore për interesat e veta. Opozita flet për “shtetin e kapur”.
“Atmosfera e dhunës”
Por situata tani mund të jetë e pakëndshme për Vuçiçin, mendojnë vëzhguesit. Pas dy tragjedive në popullatë ka një trishtim dhe zemërim të madh. Shumëkush ka fajësuar “atmosferën e dhunës” për masakrat, të nxitura nga politikanët në pushtet dhe nga mediat. Kanalet që konsiderohen si “shtëpi” të presidentit, “Pink” dhe “Happy”, shfaqin non-stop “reality show” me shumë grindje, sharje dhe dhunë. Ndërsa politikanët e opozitës, gazetarët e pavarur dhe disidentët vazhdimisht demonizohen si “spiunë të huaj” ose “njerëz që urrejnë serbët”.
“Por nuk mund t’ia mbyllësh gojën njerëzve që nuk e pranojnë një politikë të tillë,” thotë për DW deputeti i ekologjistëve, Gjorgje Paviçeviç. “Njerëzit besojnë se dikush duhet të marrë përgjegjësi për gjendjen”, thotë ai gjatë protestës. Deri më tani, vetëm ministri i Arsimit Branko Ruzhiç ka dhënë dorëheqje. Por protestuesit kërkojnë dorëheqjen e zyrtarëve të tjerë të shtetit, ndalimin e emisioneve “reality show” dhe heqjen e licencës për këto dy televizione.
Natyrisht, qeveria nuk është drejtpërdrejt përgjegjëse për vrasjet, thotë politologu Dushan Milenkoviq. “Por njerëzit janë të frikësuar dhe kërkojnë dikë për të fajësuar për gjendjen.” Në sistemet ku qeveria kontrollon të gjithë shoqërinë, është logjike që njerëzit në pushtet shihen si fajtori kryesor, tha Milenkoviq.
Do të ketë edhe protestat të tjera
Është për t’u habitur që as një javë pas vrasjeve të tmerrshme në këtë shkollë në Beograd nuk kanë shkuar për vizita as Vuçiç dhe as kryeministrja Brnabiç apo kryetari i bashkisë së Beogradit. Ata nuk e vizituan vendin e krimit për të përkujtuar viktimat. Në asfaltin para shkollës janë vënë me mijëra lule e qirinj që digjen ditë e natë.
Vëzhguesit thonë se Vuçiç heziton të dalë në mesin e qytetarëve që nuk i kanë mbledhur njerëzit e tij. Po çfarë do të ndodhte sikur disa fëmijë të shkollës të protestonin kundër tij? Fëmijët nuk mund t’i quash aq lehtë si “mercenarë të huaj” apo “hiena politike”, siç bënë me opozitën.
Serbia ka numrin më të lartë të armëve të ligjshme dhe të paligjshme për person në Evropë. Dhuna në familje dhe krimi i organizuar janë dukuri të zakonshme në këtë vend, megjithatë të shtënat e tilla me armë, si sulmet e fundit amok janë jashtëzakonisht të rralla. Tani tronditja është e thellë dhe ato janë kthyer në një çështje politike. Opozita i ka dhënë afat qeverisë deri të premten (12 maj 2023) për të përmbushur kërkesat e saj. Por askush nuk pret që kjo të ndodhë. Prandaj supozohet se të premten sërish do të ketë protesta masive në Beograd. Siç mësoi DW nga qarqet opozitare, akoma nuk ka konsensus nëse do të bëhet sërish thirrje për një marshim paqësor apo do të ketë një qasje më të ashpër – me bllokimin e rrugëve dhe stacioneve televizive pro-qeveritare.
Vitet e fundit ka pasur disa valë të mëdha protestash kundër Vuçiç, për shembull, për shkak të minierave të litiumit në Serbinë perëndimore ose kundër masave në kohën e pandemisë. Por qeveria nuk është tronditur nga këto protesta, thotë Milenkoviç. Në një vend me zgjedhje të padrejta dhe me media të kontrolluara, është e vështirë që gjërat të ndryshojnë. Në këto kushte ju thjesht nuk mund të depërtoni tek votuesit. “Kam frikë se as këtë herë nuk do të jetë ndryshe”, tha Milenkoviç.
Top Channel