Lugina e Valbonës është një nga atraksionet kryesore turistike të vendit tonë.
Por fatkeqësisht, një ditë më parë atje humbën jetën dy turiste, një franceze dhe një belge.
Aida Gjeçaj, një sipërmarrëse që prej 10 vitesh zotëron një bujtinë në Theth që gjithashtu është Guidë e Certifikuar Kombëtare me ekspertizë për Alpet Shqiptare, tregon sesi turistët nuk ndjekin këshillat.
“Ne kemi guida malore të certifikuara dhe shumë profesionistë, të paktën nga dy tre për Luginë. 200 mijë turistë për gjatë gjithë sezonit përshkojnë Thethin ose Valbonën”- shprehet Aida Gjeçaj, Guidë e Certifikuar Kombëtare, Theth.
Çfarë bëhet për sigurimin e jetës së turistëve, veçanërisht për ata që kërkojnë turizmin e aventurës?
“Agjencitë partnere që kemi në vendet europiae gjithmonë presin një siguracion jete për çdo turist që ata sjellin nga jashtë. Çdo turist që fle në bujtinat tona, qoft në Theth apo në Valbonë nëse i tregon pronarit të bujtinës që unë nesër dua të bëj kalimin e qafës së Valbonës, do t’i rekomandohej që jo, shtegu është i mbyllur, është i rrezikshëm është i pakalueshëm. Të paktën deri nga gjysma e majit. Ka nga ata që ndjejnë një farë vetëbesimi duke qenë se mbase vijnë nga zonat alpine të Europës dhe që mendojnë që mund ta menaxhojnë borën. Nganjëherë më duket se duan t’i kursejnë ato pak lekë për të marrë një guidë.
Para dy ditësh kisha katër turistë të rinj 20-vjeçar që shpresoj të mos jenë grupi në fjalë, të cilët ishin kampista me çadra që vijnë për të eksploruar Parkun Kombëtar dhe nuk flenë në asnjë bujtinë. Ata po kërkonin shtegun e Valbonës, në momentin që kuptova që duan të bëjnë kalimin ne qafën e Valbonës, i thoja që është e pamundur, por ndjeva një perceptim që nuk ishin të bindur 100% në atë që unë po thoja dhe pata frikë se mund ta provonin. Shpresoj të mos ketë qenë grupi në fjalë pasi dy vajzat që u rrëzuan ishin bashkë me miqtë e tyre dhe kanë qenë miqtë që kanë lajmëruar banorët lokal dhe si rrjedhojë policinë dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë”- shprehet Aida Gjeçaj.
Top Channel