Pakistan, gjykata vendos mbajtjen në burg për tetë ditë të tjera për ish-Kryeministrin Khan

10/05/2023 21:04

Gjykata e posaçme antikorrupsion në Pakistan vendosi të mërkurën mbajtjen në paraburgim për 8 ditë të ish-Kryeministrit Imran Khan.

Gjithashtu, një tjetër proces i veçantë gjyqësor ngriti ndaj tij akuza të mëtejshme për korrupsion, ndërsa në mbarë vendin po zhvillohen protesta dhe përplasje mes mbështetësve të tij dhe policisë, që kanë lënë pas viktima dhe të plagosur.

Zoti Khan u paraqit përpara dy trupave gjyqësore, të cilat u krijuan brenda natës, nën masa të larta sigurie, në selinë qendrore të policisë në Islamabad, një ditë pas arrestimit të tij dramatik dhe marrjes me forcë nga njësitë paraushtarake përpara një gjykate të kryeqytetit.

Zoti Khan u tha gjykatësve të mërkurën se forcat e sigurisë e kishin sulmuar fizikisht përpara se ta arrestonin dhe se e kishin tërhequr me forcë nga godina e gjykatës, njoftuan avokatët e tij.

Arrestimi i ish-kryeministrit, dikur edhe sportist i mirënjohur i lojës ‘cricket’, ka shkaktuar protesta masive dhe të dhunshme në Islamabad dhe qytete të tjera nga mbështetës të partisë politike të zotit Khan, Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI). Përplasjet me policinë vazhduan të mërkurën, duke lënë disa persona të vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur. Policia ndaloi anëtarë të partisë PTI, ndër ta edhe drejtues të lartë në mbarë vendin.

Pjesëmarrësit në protesta, ndër ta burra dhe gra, e drejtuan zemërimin e tyre kryesisht ndaj ushtrisë së fuqishme të vendit, të cilën ish-kryeministri e ka akuzuar vazhdimisht se orkestroi largimin e tij nga posti vitin e kaluar dhe se më vonë ngriti ndaj tij çështje gjyqësore “të pabaza dhe qesharake”.

Një numër i madh mbështetësish të zotit Khan u mblodhën përpara shtabit të ushtrisë në Rawalpindi, pranë Islamabadit, si dhe në objekte të tjera ushtarake, duke bërë thirrje kundër ushtrisë, diçka që nuk është parë rishtazi në historinë moderne të Pakistanit.

Autoritetet dislokuan forca paraushtarake për të ndihmuar policinë që të mbante situatën nën kontroll, pasi protestuesit sulmuan të martën rezidencat e komandantëve të korpusit të ushtrisë në Lahore, qendra e rajonit më të populluar Punjab, si dhe në Peshawar, qendra e provincës Khyber Pakhtunkhwa.

Në një deklaratë të fortë të transmetuar të mërkurën në një rrjet të mediave të ushtrisë thuhet se sulmet ndaj objekteve të saj dhe thirrjet kundër institucioneve ishin “të planifikuara paraprakisht” dhe se janë pjesë e një përpjekjeje të organizuar. Deklarata dënon drejtuesit dhe mbështesit e PTI-së, që është edhe partia më e madhe politike në Pakistan, duke i quajtur ata “kriminelë”. Në deklaratë paralajmërohet se do të merren masa të ashpra ndaj protestuesve të përfshirë në sulmet e së martës, pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Sulmet e mëtejshme ndaj ushtrisë, përfshirë edhe gjithë agjencitë e zbatimit të ligjit, komplekset ushtarake dhe shtetërore, si dhe objektet në pronësi të tyre, do të shkaktojnë një kundërpërgjigje të ashpër ndaj grupit (PTI) që dëshiron ta shtyjë Pakistanin drejt luftës civile”, thuhet në deklaratë.

Qeveria kërkoi zyrtarisht të mërkurën ndihmën e ushtrisë për rivendosjen e ligjit dhe rendit.

Ushtria e Pakistanit ka një historik të gjatë ndërhyrjeje direkte dhe indirekte në politikë, dhe partitë politike dhe analistët e fajësojnë atë për dobësimin e demokracisë së vendit. Gjeneralët e ushtrisë kanë organizuar grushte të shumta shteti dhe kanë arrestuar kryeministra popullorë të vendit me akuza të fryra për tradhëti dhe akuza të tjera, duke e qeverisur kështu praktikisht vendin për gati gjysmën e 75 viteve nga krijimi i tij.

Michael Kugelman, drejtor për Azinë Juglindore në Qendrën Wilson në Uashington, tha se rreziku i tanishëm ndaj rendit publik në Pakistan mund të jetë më i madhi në historinë moderne të vendit. Ai shkruajti në Twitter se ushtria është bërë “objekt i zemërimit më të madh popullor se kurrë më parë”, ndërsa përjashtoi mundësinë e marrjes së pushtetit nga ushtria.

Pati pothuajse një ndalim të plotë të raportimit për protestat e udhëhequra nga partia PTI në dhjetëra kanale lokale të lajmeve në kryeqytetin Islamabad dhe zonat përreth tij.

Autoriteti qeveritar për telekomunikacionin ka ndërprerë shërbimin e internetit në Islamabad dhe qytete të tjera dhe ka bllokuar qasjen në platformat e mediave sociale, përfshirë rrjetet Twitter, Facebook dhe YouTube. Shkollat në mbarë Pakistanin gjithashtu u urdhëruan të qëndrojnë të mbyllura të mërkurën.

Arrestimi i zotit Khan u bë vetëm pak orë pasi ai dha detaje të reja për akuzën e tij se një gjeneral i lartë brenda agjencisë së zbulimit ushtarak të Pakistanit (ISI), po planifikonte vrasjen e tij.

Zoti Khan e bëri këtë të ditur vetëm një ditë pasi ushtria e paralajmëroi që të mos bënte akuza “të fabrikuara dhe keqdashëse”.

Kreu i partisë PTI u plagos gjatë një tentative për vrasje nëntorin e kaluar, ndërsa udhëhiqte në Lahore një protestë kundër qeverisë. Nga sulmi u vra një person, ndërsa kreu i PTI-së u plagos me plumba në këmbë.

Zoti Khan akuzoi Gjeneral-Majorin Faisal Naseer, të shërbimit të zbulimit ISI, se ishte ndër planifikuesit e tentativës për vrasje, duke shtuar se ushtaraku i lartë vazhdonte të planifikonte vrasjen e tij.

Zyrtarët e qeverisë thanë se tentativa për vrasje e nëntorit ishte vepër e një personi të vetëm të armatosur, i cili tashmë mbahet nën arrest dhe që rrëfeu krimin në një video që u qarkullua në mënyrë të debatueshme nëpër media.

Zoti Khan u largua nga pushteti me një votim mosbesimi në parlament në prill 2022, një lëvizje që ai e refuzoi si të paligjshme dhe të planifikuar nga shefi i ushtrisë pakistaneze, Gjeneral Qamar Javed Bajwa, i cili tashmë ka dalë në pension.

Pakistani është përfshirë kështu në një krizë ekonomike dhe politike, ndërsa partia PTI e drejtuar nga zoti Khan po ushtron trysni ndaj koalicionit të brishtë qeverisës të zotit Sharif, që të organizojë zgjedhje të parakohshme.

Komisioni i pavarur për të Drejtat e Njeriut në Pakistan u shpreh në një deklaratë se ishte “thellësisht i trazuar” nga kriza politike në zhvillim dhe nga pasojat e saj tek të drejtat e qytetarëve të zakonshëm./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA