Në Astir është hapur çerdhja e parë me një kapacitet për 170 fëmijë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se çerdhja i jep zgjidhje problematikës së trashëguar në këtë zone.
“Te zanati ynë gjërat ndahen mes atyre që gjejnë fajin dhe atyre që gjejnë zgjidhjen. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur në Astir. E dimë kush e ka drejtuar ish komunën, e dimë që nuk kishte asnjë terren të lirë për shërbime të tilla. Detyra jonë është të shohim përpara dhe të gjejmë zgjidhje. Zgjidhja që kemi gjetur është duke thyer një tabu sepse sot hapim çerdhen më të madhe në Tiranë, për të cilën kemi marrë një hapësirë me qira, në pamundësi të gjendjes së një terreni në zonën e ‘Astirit’. Por, nga një zgjidhje e përkohshme, mund të kthehet në një zgjidhje standard për ato zona ku kemi vështirësi për gjetjen e një terreni; pra, në ish-komunat e administruara keq vetëm për të bërë pallate, por jo për të lënë terren për ndërtesa publike”, tha Veliaj.
Mandati i ardhshëm do ti dedikohet zonave si Astiri tha Veliaj ku do investohet në kopshte e shkolla.
“Mandati që vjen do të jetë mandati i zonave si Astiri, ku duam të shkojmë deri në cepin fundor. Do fillojmë me më të vegjlit, nga çerdhja, te kopshti, te shkolla. Kemi 5 terrene për shkolla, ku pritet të nisë puna së shpejti, tani që edhe çmimet janë stabilizuar pas inflacionit të luftës. Me zgjidhjen që i dhamë zhbllokimit të autostradës me aksin e rrugës “Migjeni”, tani me të gjitha degëzimet e rrugëve, deri sa të shkojmë në cepin më fundor të “Astirit”, për të shkuar te asfalti, kanalizimet dhe urbanizimin, besoj që fillimi i institucioneve arsimore e vulos këtë si një zonë me perspektive. Investimi që do të pasojë çerdhet, kopshtet, shkollat dhe pastaj zona e lirë ekonomike, që do t’i shërbejë kryesisht “Astirit”, edhe “Kombinatit”, do të jetë vërtetë një lajm i jashtëzakonshëm për komunitetit”, u shpreh Veliaj.
Top Channel