Sali Berisha udhëtoi drejt Malësisë së Madhe për të përmbyllur fushatën elektorale në këtë Bashki, por tregoi se merakun e kishte tek rezultati i Shkodrës.
“Sa herë e keni dëgjuar ju Benet Becin, që ia fali veten Edi Ramës të flasë një fjalë për Shkodrën në dy vite? Asnjëherë! Po se i solla këto shembuj? I solla këto shembuj për t’ju thënë miqtë e mi, se ndryshimi është shumë i madh“, tha Berisha.
Një sy, Berisha e ka edhe te fushata e kundërshtarit politik, të cilin e akuzoi se po mbjell përçarje fetare kudo qe ai shkel ne veri.
“Vjen këtu dhe përpiqet të mbjellë përçarje fetare me injorancë absolute. Ia thashë edhe atë dite, se po të lexosh historinë e kësaj malësie, ti vetëm këtu nuk e bën kurrë atë përpjekje. Jo sot, por edhe në vitet 1870, përfaqësuesit e Malësisë së Madhe i provuan Kongresit të Berlinit se pavarësisht nga fetë, ata ishin një dhe vetëm një, myslimanë dhe të krishterë, ishin shqiptarë dhe vetëm shqiptarë”.
Edhe pse betejë vendore, Sali Berisha është në kërkim të një debati politik me Edi Ramën.
“Urdhëro të dalim në shesh, kemi qeverisur, dhe t’u themi qytetarëve çdo gjë që pyesin ata, çdo çështje që ngrenë ata. T’u japim përgjigje. Po ku mund të dalë ai? Sepse ai ka zgjedhur të kalojë nga sheshi në shesh me një togfjalësh të turpshëm. Jo gomari, jo çakalli, zorra qorre, nuk kam motër se je çun i mirë, dhe fjalë të tilla. Edi Rama je i pashpresë”.
Ne Malësi të Madhe, Berisha kërkoi votën për kandidatin Isa Ramaj.
Top Channel