Von der Leyen “sfidon” Rusinë, mes sulmeve mbërrin në Kiev për bisedime

09/05/2023 09:19

Në kohën kur Rusia kremton me shumë bujë Ditën e Fitores mbi nazizmin, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen mbërriti në Kiev për bisedime me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke dëshmuar edhe një herë qartë mbështetjen e plotë të Perëndimit për vendin e përballur me agresionin brutal rus.

 “Sa mirë të jem sërish në Kiev. Aty ku vlerat që i mbajmë afër, mbrohen çdo ditë”, shkroi ajo në Twitter. “Unë e mirëpres vendimin e presidentit Zelensky për ta shënuar 9 Majin, Ditën e Europës, edhe këtu në Ukrainë”, nënvizoi shefja e KE-së. Blloku 27 anëtarësh e kremton tradicionalisht 9 majin si ditën që shënon paqen dhe unitetin, dhe fakti që vizita e pestë e Von der Leyenit në Ukrainë që prej fillimit të pushtimit të Moskës erdhi pikërisht në këtë ditë, është mjaft simbolike.

9 majin e vitit 1950 u lëshua e ashtuquajtura Deklaratë e ish ministrit të jashtëm francez, Robert Schuman, e cila shihet si gur themeli i atij që do të bëhej Bashkimi i sotëm Europian. Zyrtarja e lartë mbërriti  në Kiev disa orë pasi Rusia lëshoi 25 raketa në Ukrainë, 15 prej të cilave kishin në shënjestër kryeqytetin.

Më herët, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit, Serhiy Popko, tha se mbrojtja ajrore zbuloi dhe shkatërroi rreth 15 raketa mbi Kiev. Presidenti Volodymir Zelensky paraqiti më herët në Parlament një projektligj ku shënohet zyrtarisht 9 maji si Dita e Europës në Ukrainë dhe 8 maji si Dita e Fitores mbi nazismin. Rusia dhe ish-republikat e tjera sovjetike e festojnë fundin e Luftës së Dytë Botërore në 9 maj, ndërsa Europa e feston atë një ditë më herët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA