Veliaj në takimin e madh të Petrelës, Farkës dhe Baldushkut: Duam të fitojë fermeri e tregtari, jo pronari i tregut

09/05/2023 12:06

Kandidati socialist për Tiranën, Erion Veliaj ishte në Petrelë, ku u takua me banorët e kësaj zone, por dhe me ato të Farkës dhe Baldushkut, zona këto që kanë psuar transformime që kanë dyfishuar vlerën e pronës.

“Si fillim, e dyfishuam Liqenin e Tiranës, pastaj shtuam parkun e dytë, Parkun e Farkës, i cili ka rritur vlerën e pronës dhe i ka dhënë Tiranës një mushkëri të re. Po nuk vure dorë, po nuk preke diçka, asgjë nuk ndryshon. Këta që thoshin mos ma prek parkun, mos ma prek lumin, mos ma prek Teatrin, mos ma prek Pazarin, mos ma prek Kalanë, mos ma prek Bulevardin, mos ma prek Astirin, por po nuk i preke punët me dorë nuk ndryshon realiteti. Çdo punë që kemi prekur është bërë më e mirë”.

Veliaj përmendi edhe tregun e ri agroushqimor të farkës, investim që erdhi falë bashkëpunimit me qeverinë.

“Ne duam që fshati të fitojë, fermeri të fitojë, qytetari të fitojë, tregtari të fitoje, jo pronari i tregut.. Sot e kemi thyer këtë monopol me tregun e ri agroushqimor, një kontribut i qeverisë dhe i bashkisë. Prandaj, na duhet qeveria se mund t’i bëjmë gjërat bashkë”.

Në javën e fundit të fushatës për zgjedhjet e 14 majit, kandidati i PS për Tiranën, u ndal edhe te kundërshtarët e tij, për të cilët tha se pasi i braktisën qytetarët për 4 vite, tashmë u kërkojnë sërish votën.

“Në ditët më të vështira skuadra jonë qëndroi këtu, ishte këtu, nuk u largua, nuk mori mungesë. Ne e kemi standardin shumë lart për një polic, për një zjarrfikës, për një mjek, për një doktoreshë, për një ushtar, për një oficer, madje edhe për fëmijët, kurse e kemi standardin shumë poshtë për fuksin e lagjes, për Ilir Metën, dhe ish komunistin Sali Berisha. Ata për 4 vite ishin te Gjiri i Lalzit, nuk e vunë ujin në zjarr fare për hallet tona. Por, kush mungoi 4 vjet, të dielën do ngelin në klasë”.

Në fund, Veliaj ftoi qytetarët që të mendojnë për familjet e tyre dhe jo për hallet e çiftit Berisha-Meta.

“Bashkohuni me familjen tonë se kur jemi bashkë jemi më të fortë dhe ecim përpara”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA