Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se Beogradi do të dorëzojë një amendament të një rezolute që duhet të miratohet nga Këshilli i Evropës, e që ka të bëjë me integritetin territorial të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.
“Ata thonë se po mbrojnë integritetin e Moldavisë, Gjeorgjisë… Ne kemi shtuar një amendament për të respektuar integritetin territorial të të gjitha vendeve të tjera të Këshillit të Evropës”, tha Vuçiç për Televizionin Happy të Serbisë.
Samiti i Këshillit të Evropës do të mbahet gjatë këtij muaji në Islandë. Vuçiç tha se nuk do ta ndjekë atë, nëse amendamenti nuk pranohet. Serbia, e cila është anëtare e Këshillit të Evropës, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron atë pjesë të territorit të saj.
Vuçiç tha se Serbia nuk do ta ndryshojë rrugën e saj evropiane pas pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por se në marrëdhëniet dypalëshe, shtoi ai, do të punojë më ngushtë me vendet që kanë votuar kundër anëtarësimit të Kosovës.
Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës ka vendosur më 24 prill që aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, ta dorëzojë në Asamblenë Parlamentare. Me këtë vendim kanë nisur zyrtarisht procedurat për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës, i cili është dorëzuar në maj të vitit 2022.
Serbia përpiqet ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, edhe pse me disa marrëveshje të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian është zotuar se nuk do ta bëjë një gjë të tillë. /REL
Top Channel