Rrugëtimi i Erdoganit nga burgu drejt dekadës së tretë në pushtet

09/05/2023 17:09

Në Turqi, Presidenti Recep Tayyip Erdogan po kërkon tashmë mandatin e tretë si president, pas tre mandatesh të mëparshme si kryeministër, duke synuar kështu vazhdimin në një dekade të tretë të qëndrimit të tij në pushtet.

Kur Recep Tayyip Erdogani gjallëroi turmat në vitin 1997 duke recituar një poemë me intonacione islamike, gjykatat turke vepruan me shpejtësi duke e dënuar kryetarin e atëhershëm të Bashkisë së Stambollit me burg për shkelje të ligjeve laike të vendit dhe nxitje të urrejtjes fetare.

Zoti Erdogan e denoncoi si “të turpshëm” në atë kohë dënimin e tij dhe mijëra mbështetës dolën në rrugë për ta mbrojtur.

“U dënova sepse recitova një poezi. Dua të them para së gjithash se kjo është një tragjedi, një kapitull i turpshëm në historikun e gjyqësorit të vendit tonë”, deklaronte në atë kohë zoti Erdogan.

Kundërshtarët e tij megjithatë u gëzuan. Titujt në gazetën popullore Hurriyet njoftonin se “karriera e tij politike ka mbaruar” dhe se “ai nuk mund të zgjidhet as për kryeplak”.

“Burgosja e tij ishte një pikë kthese në marrëdhënien e ardhshme që do të krijonte me njerëzit, diçka për të cilën fliste gjithnjë. Në atë rast iu bë një padrejtësi zotit Erdogan. Ai u përjashtua nga politika sepse recitoi një poezi të një poeti, mendimtari, sociologu që qeveria e konsideronte të pranueshëm. Kjo krijoi në fakt një viktimizim të Erdoganit dhe forcoi më tej marrëdhënien e tij me shoqërinë. Në fazat e mëtejshme të jetës së tij politike, Erdogani nuk mbeti tek vitet e burgut, por ktheu vështrimin nga e ardhmja”, thotë studiuesi i politikës, Nebi Mis.

Kundërshtarët e nënvlerësuan 45-vjeçarin Erdogan që pas vetëm pak muajsh burgim, organizoi rikthimin në politikë dhe marrjen e pushtetit për mbi dy dekada, fillimisht si kryeministër dhe pastaj si president, duke u bërë kështu drejtuesi më afatgjatë i Turqisë.

Megjithëse fillimisht ai mbështeste reformat për ta shndërruar Turqinë në një model të demokracisë për botën myslimane, më vonë ai ndërtoi një imazh gjithnjë e më autoritar dhe shtypi disidencën me qëllim forcimin e pushtetit të tij.

“Shumë njerëz janë të pakënaqur me mënyrën se si e drejton ai vendin. Pra, në këto rrethana dikush mund të thotë se është në fakt mrekulli që ende gëzon 42% (mbështetje)”, thotë profesor Soli Ozel.

Shumica e anketimeve tregojnë një avantazh të lehtë për rivalin e tij, Kemal Kilicdaroglun, i cili drejton Partinë Republikane Popullore (CHP) të qendrës së majtë. Rezultati ndoshta do të përcaktohet në një balotazh më 28 maj.

Zoti Erdogan përballet me një sprovë të vështirë në këto zgjedhje për shkak të zemërimit të publikut për inflacionin dhe për menaxhimin e pasojave të tërmetit të 6 shkurtit që vrau mbi 50 mijë vetë, rrafshoi qytete të tëra dhe la miliona njerëz të pastrehë.

Sidoqoftë analistët thonë se nuk duhet nënvlerësuar ndikimi i zotit Erdogan tek votuesit besimtarë të shtresave të mesme dhe punonjëse, të cilët janë ndjerë prej kohësh të përjashtuar nga elitat laike të Turqisë që anojnë drejt Perëndimit.

“E arrestuan. Qeveria u përpoq në atë kohë ta bllokonte dhe e arrestuan… Kur thanë se Recep Tayyip Erdogani nuk mund të bëhej dot as kryeplak, ai u bë president. Ai u bë udhëheqësi i palëkundur i të shtypurve, i rajonit të Kaukazit”, thotë një mbështetës i zotit Erdogan.

Koalicioni opozitar “Aleanca Kombëtare” ka bashkuar gjashtë parti në mbështetje të Kemal Kilicdaroglut, megjithë pikëpamjet e tyre të ndryshme politike. Ashtu si në vitet e kaluara, zoti Erdogan ka zhvilluar një fushatë të ashpër ndaj opozitës, të cilën e akuzon për bashkëpunim me terroristët, për mbështetje të të drejtave të anëtarëve të komunitetit LGBTQ+ në dëm të së ardhmes së “strukturës së shenjtë të familjes turke”, siç shprehet ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA