Numri i njerëzve të zhvendosur brenda Sudanit nga luftimet midis fraksioneve ushtarake rivale është dyfishuar në javën e kaluar në rreth 700,000, sipas OKB-së.
Rritja e zhvendosjeve ka ngritur frikën e një përshkallëzimi të dhunës pavarësisht bisedimeve për armëpushimin që po mbahen në Arabinë Saudite.
Sulmet ajrore dhe betejat tokësore po vazhdojnë në kryeqytetin Khartoum. Lagje të tëra janë boshatisur pasi banorët largohen nga shtëpitë e tyre. Khartoum kishte një popullsi prej 5.4 milionë banorësh, por qyteti dikur paqësor është shkatërruar nga konflikti që shpërtheu më 15 prill. Një banore i tha BBC-së se ajo dëgjoi përsëri të shtëna armësh të martën nga shumë drejtime dhe zhurmat e largëta të sulmeve ajrore.
Të tjerë thanë se avionët luftarakë të ushtrisë po fluturonin në të gjithë Khartoum-in jugor dhe beteja të rënda po zhvilloheshin në lagjen e klasës së mesme al-Sahafa, jo shumë larg aeroportit ndërkombëtar, i cili është i mbyllur.
Luftimet zhvillohen midis ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të udhëhequra përkatësisht nga gjenerali Abdel Fattah al-Burhan dhe gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur më mirë si Hemedti.
Më shumë se 600 njerëz janë vrarë dhe 5000 janë plagosur në konflikt. Luftime të ashpra janë raportuar gjithashtu në dy qytete ngjitur me Khartoum – Bahri dhe Omdurman – dhe në rajonin perëndimor të Darfurit.
“Shumë PZHBV [njerëz të zhvendosur brenda vendit] po strehohen me të afërmit, ndërsa të tjerët po mblidhen në shkolla, xhami dhe ndërtesa publike,” tha Paul Dillon, një zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare të OKB-së për Migracionin.
Dillon tha se njerëzve po u mbaronin paratë dhe furnizimet bazë si karburanti.
Javën e kaluar, OKB-ja tha se rreth 100,000 njerëz kishin ikur në shtetet fqinje dhe numri mund të arrijë më shumë se 800,000 nëse luftimet nuk ndalen. Përfaqësuesit e ushtrisë dhe RSF kanë mbajtur bisedimet e tyre të para ballë për ballë në qytetin saudit të Jeddah në një përpjekje për të negociuar një armëpushim.
RSF kanë nën kontroll pjesën më të madhe të kryeqytetit, me sulmet ajrore të ushtrisë që synojnë dobësimin e pozicioneve të saj dhe parandalimin e marrjes së përforcimeve.
Top Channel