13 palestinezë, përfshirë tre komandantë të grupit militant Xhihadi Islamik, kanë mbetur të vrarë në sulmet e befasishme ajrore që forcat izraelite ndërmorën në Rripin e Gazës.
Gjashtë gra e katër fëmijë janë në mesin e të vdekurve. 20 persona të tjerë u plagosën. Shteti hebre shpjegoi se operacioni shenjtëronte militantët që përbënin një kërcënim të menjëhershëm për qytetarët e tij.
Xhihadi Islamik nga ana tjetër, u zotua për hakmarrje. Korrespondentët e huaj atje thonë se në këtë pikë është mjaft e rëndësishme se në ç`masë do të vendosë t`i bashkohet kundërpërgjigjes Hamasi, grupi palestinez që kontrollon Rripin e Gazës. Sinjalet e para prej tij, mbërritën.
“Pushtuesit izraelitë kanë kryer një krim të rëndë dhe një agresion të pabesë ndaj njerëzve tanë në Rripin e Gazës me bombardimin e zonave rezidenciale e banesave, çka solli vdekjen e egrave e fëmijëve, dhe shenjëstrimin e liderëve të rezistencës. Ne do të dimë si t`i përgjigjemi këtij krimi të madh dhe ta bëjmë pushtuesin të paguajë çmimin e sulmit të tij”, u shpreh zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem.
Zyrtarët izraelitë thuhet se po përgatiten për konflikt. Sulmet e këtij mëngjesi, kur 40 avionë luftarakë dhe helikopterë izraelitë sulmuan në disa valë në të gjithë Gazën, duke goditur shtëpitë dhe duke shkaktuar panik tek banorët, ishin më vdekjeprurësit që prej luftimeve intensive tre ditore gushtin e vitit të kaluar mes Izraelit dhe Xhihadit Islamik, grupi më i madh militant pas Hamasit në Gaza.
Ai ka qenë përgjegjës për shumë nga goditjet me raketa drejt Izraelit nga ky territor në vitet e fundit dhe është betuar për shkatërrimin e shtetit hebre. Krahu ushtarak i Xhihadit Islamik, Brigadat al-Quds, njoftoi se tre nga komandantët e tij u vranë, së bashku me familjet e tyre.
Top Channel