Izraeli sulmon nga ajri në Rripin e Gazës, të paktën 12 viktima

09/05/2023 09:40

12 palestinezë, përfshirë tre komandantë të grupit militant, Xhihadi Islamik, u vranë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës.

Autoritetet palestineze të shëndetësisë thanë se tri gra dhe tre fëmijë janë në mesin e të vrarëve. 20 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Izraeli tha se ka nisur një operacion që ka në shënjestër militantët, të cilët përbëjnë kërcënim të menjëhershëm për qytetarët e tij.

Xhihadi Islamik u zotua se do të hakmerret dhe militantët me bazë në Rripin e Gazës pritet ta sulmojnë Izraelin me raketa.

Zyrtarët izraelitë po përgatiten për disa ditë luftime, raportojnë korrespondentët nga terreni. Ushtria izraelite tha se përveç tre militantëve, avionët e saj kanë goditur edhe dhjetë lokacione që përdoren për prodhimin e armëve, ashtu si edhe gjashtë objekte ushtarake të Xhihadit Islamik.

Krahu ushtarak i Xhihadit Islamik, Brigada al-Quds, konfirmoi se tre komandantë janë në mesin e të vrarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA