Goditet me sende të forta një person në Pukë, “Bashkë Fitojmë”: Përfaqësues të PS dhunuan me armë aktivistët tanë

09/05/2023 23:15

Një konflikt mes disa personave ka ndodhur pasditen e sotme në vendin e quajtur “Lumi i Mziut” në Pukë, ku si pasojë ka mbetur i lënduar një person.

Policia thotë se shtetasi V. M., së bashku me djalin e tij, R. M., dhe S. S., banues në fshatin Fierzë, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, shtetasin B. N.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” pretendon se përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Pukë, pasi i kanë ndaluar në rrugë makinën ku ishin Besmir Nika, Bledar Nika, Ndue Deda dhe Ridvan Kuka, veprimtarë të opozitës i kanë qëlluar me qyta armësh pistoletë. Po ashtu, “Bashkë Fitojmë” pretendon se të tre personat gjatë gjithë këtyre ditëve kanë qarkulluar në zonë të armatosur dhe duke ushtruar presion e shantazh ndaj banorëve.

“Rregjimi i Edi Rames është në tmerr dhe panik dhe po përpiqet të kacavirret në pushtet me banda, dhunë dhe krim. Vetëm pak orë pasi koalicioni BashkëFitojmë denoncoi me deklaratë zyrtare përpjekjet për intimidime dhe përdorim të Policisë së Shtetit në fushatën zgjedhore në disa bashki të Shqipërisë, duke u ndalur tek disa raste flagrante në Pukë, pikërisht në territorin e kësaj bashkie, dhuna ndaj opozitarëve u përshkallëzua deri në kërcënim për jetën. Në fshatin Mzi, Njësia Administrative Fierzë e Bashkisë Fushë Arrëz, një bande e armatosur me në krye Drejtorin e HEC-it Fierzë, kriminelin elektoral Vasil Muslija me të birin dhe shtetasin Zamir Sadiku, kanë ushtruar dhunë me armë kundër katër aktivistëve të Partisë Demokratike. Të  tre banditët me spaleta pushteti, përfaqësues të PS-së së Pukës, pasi i kanë ndaluar në rrugë makinën ku ishin Besmir Nika, Bledar Nika, Ndue Deda dhe Ridvan Kuka, veprimtarë të opozitës i kanë qëlluar me qyta armësh pistoletë. Sipas raportimeve nga terreni, nga spitali dhe nga përfaqësues të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Pukë, si pasojë e dhunës ka mbetur i plagosur rëndë shtetasi Besmir Nika, dhe me plagë më të lehta vëllai i tij, Bledari. Të tre personat dhunues, sipas raportimeve,  gjatë gjithë këtyre ditëve kanë qarkulluar në zonë të armatosur dhe  duke ushtruar presion e shantazh ndaj banorëve. Bandat e Gjon Gjonajt, nga Gomsiqja deri në Fierzë, në panik nga humbja e 14 majit, kanë angazhuar arsenalin e personave me precedente penalë, të gjithë me lidhje kriminale me Partinë Socialiste, dhe në këmbim të favoreve dhe lëshimeve u kërkojnë të frikësojnë mbështetësit e opozitës.

Në emër të koalicionit BashkëFitojmë dhe të Partisë Demokratike, u urojmë shërim të shpejtë Besmirit dhe Bledarit dhe i sigurojmë ata dhe familjet e tyre, si dhe gjithë mbështetësit tanë në Pukë e kudo, se autorët e dhunës do të marrin përgjigjen e merituar.  Dënojmë ashpërsish si dorasët, drejtorin e HEC Fierzës, kriminelin elektoral Vasil Musliu dhe banden e tij  ashtu dhe porositësit e krimit Gjon Gjonajn në Pukë dhe Edi Ramën në Tiranë, të cilët, sa me fjalë e sa me heshtje, e inkurajojnë këtë klimë tensioni politik e elektoral. I bëjmë thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për të gjithë ata që shkelin ligjin dhe OSBE-ODHIR të regjistrojë çdo rast të dhunimit të zgjedhësve, veprimtarëve politikë  dhe të procesit zgjedhor. Gjonajt, Muslisë dhe të gjithë banditëve të veshur me pushtet, apo atyre që pushteti i ka zhveshur nga çdo tipar malësori, sipas kodeve të të cilëve burri nuk gjuan pas shpine, u kujtojmë se dita e dhënies llogari nuk do të jetë e largët. U bëjmë thirrje mbështetësve të opozitës në Pukë dhe të gjithë pukjanëve të ndershëm, socialistë apo të pa parti, të marrin pjesë në votime dhe te distancohen me vote, më 14 maj, nga bandat që nuk e lëshojnë pushtetin me drejtësinë e votës, por duan ta mbajnë me çdo kusht dhe me qytat e armëve”- thuhet në reagimin e “Bashkë Fitojmë”.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pukë, autorët e dyshuar, shtetasit V. M., R. M., dhe S. S., dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen veprime procedurale. Vijojnë veprimet hetimore  për sqarimin e plotë të rrethanave  të ngjarjes.”- thotë policia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA