Dita e Europës shënohet në Shqipëri me një iniciativë që ka në qendër të rinjtë dhe fëmijët, pjesë e rëndësishme e të ardhmes së vendit në Bashkimin Europian.
“Shtatë organizata për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, sot në 9 Maj – Dita e Europës, shpallën krijimin e Platformës Kombëtare të Shoqërisë Civile për Integrimin Europian për Fëmijët dhe të Rinjtë, duke vendosur interesat e fëmijëve dhe të të rinjve në qendër të këtij procesi. Platforma synon të nxisë bashkëpunimin, angazhimin dhe kontributin e sektorit të shoqërisë civile të cilët punojnë në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në procesin e negociatave për integrimin europian të Shqipërisë. Platforma synon po ashtu pjesëmarrjen e shoqërisë civile, fëmijëve dhe të rinjve, në këtë proces transformues, si dhe nxitjen e transparencës së institucioneve përkundrejt qytetarëve dhe shoqërisë. Platforma Kombëtare e Shoqërisë Civile për Integrimin Europian: Fëmijët dhe të Rinjtë, është e gatshme të mbështesë Shqipërinë në procesin e negociatave me BE-në, si në aspektin e përafërimit të legjislacionit, ashtu edhe të praktikave më të mira për mbrojtjen dhe kujdesin e fëmijëve dhe të rinjve. Platforma ka përcaktuar gjashtë objektiva kryesore për punën e saj, ndërkohë që do të jetë e hapur për kontibutin dhe pjesmarrjen e të gjitha OSHC-ve të fëmijëve dhe të të rinjve anembanë Shqipërisë, që duan të mbështesin kauzën e fëmijëve dhe të të rinjve gjatë negociatave për integrimin në Bashkimin Europian.
Platforma e Shoqërisë Civile për Integrimin Europian: Fëmijët dhe të Rinjtë, ka si qëllim, ndër të tjera, të mbështesë dhe të kontribuojë në Platformën e Partneritetit për Integrimin Europian të ngritur nga Qeveria shqiptare dhe që funksionon në bazë të tryezave të kapitujve respektivë të negociatave, pranë Ministrive dhe institucioneve kryesore. Disa nga angazhimet kryesore të Platformës janë: – Pjesëmarrja në tryezat e diskutimit sipas kapitujve, duke kontribuar në mënyrë pro-aktive në mbrojtjen, promovimin dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, si dhe interesave të tyre në procesin e negociatave të Shqipërisë me BE-në; – Informimi i fëmijëve dhe të rinjve, institucioneve publike si dhe shoqërisë civile mbi procesin e negociatave, procesin e integrimit europian dhe ndikimin e tyre në të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve; – Përgatitja e raporteve të monitorimit dhe vlerësimit mbi situatën e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, përputhshmërinë e legjislacionit vendas me atë të BE-së, politikën shtetërore dhe masat që ka ndërmarrë Qeveria për përmirësimin e politikave dhe shërbimeve në përputhje me standardet e BE-së; – Dhënia e propozimeve dhe rekomandimeve për të përmirësuar ligjet, politikat dhe standardet në mbrojtje dhe në ushtrim të të drejtave për fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri; Më 19 Korrik 2022, mbledhja e parë ndërqeveritare hapi procesin e negociatave për anëtarësinë e Shqipërisë në Bashkimin Europian.”- tha Anila Meço, Drejtore Ekzekutive, “Save the Children”, Shqipëri.
Top Channel