Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë të martën se ka ardhur koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas tij, një dokument i tillë le të prezantohet duke u bazuar në draft-vizionin e paraqitur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një javë më parë, si dhe të jetë në përputhje me kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian.
Abbott e ka bërë këtë thirrje duke treguar se Kosovën e viziton këtë javë, i dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.
“Aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
Më 2 maj, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel është prezantuar draft-statuti për Asociacionin, i përpiluar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.
Ky ekip është shkarkuar një ditë më vonë, nga autoritetet e Kosovës.
Kryeministri Kurti, ka thënë se draft-statuti i prezantuar, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit.
Si përgjigjje, ai e ka prezantuar më pas një draft-vizion, që, sipas tij, rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë.
Në këtë dokument të Kurtit thuhet, mes tjerash, se ai do t’u ofrojë mundësi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Disa burime në Bruksel, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, ditë më parë, se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është “kusht mbi të gjitha kushtet” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje./REL
Top Channel