Fjalimin me rastin e Ditës së Europës, kancelari gjerman Olaf Scholz e ktheu në një thirrje drejtuar Bashkimit Europian që të mos harrojë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Mbanin premtimet që u keni bërë këtyre shteteve për integrimin e tyre në bllok”, u shpreh kreu i ekzekutivi gjerman, i cili apeloi edhe vazhdimin përpjekjeve të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Që të jem i sinqertë, një BE e zgjeruar duhet të jetë një BE e reformuar. Europa duhet të hapet edhe ndaj të tjerëve. Ishin vendime kyçe për të ato të vitit të kaluar kur vendosëm të punojmë për një Europë më të gjerë. U kemi thënë vendeve të Ballkanit Perëndimor, e po ashtu edhe Ukrainës. Europa gjeopolitike duhet t’i mbajë premtimet e saj. Kemi 20 vjet që i premtojmë anëtarësim vendeve të Ballkanit. Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë. Duhet të vazhdojnë reformat për integrim. Duhet të avancohet edhe procesi i negociatave me Maqedoninë e Veriut. Zgjerimi nuk duhet të jetë i vetmi motiv për reforma, por duhet të mbahet parasysh”, tha Scholz.
Deri tani, mes vendeve të rajonit ato që kanë avancuar më shumë në negociatat e anëtarësimit janë Mali i Zi dhe Serbia. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i hapën bisedimet vetëm vitin e kaluar, Bosnje e Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa Kosova aplikoi në muajin dhjetor.
Perspektiva europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është premtuar që në vitin 2003, kur përfaqësuesit e shteteve anëtare të bllokut të mbledhur në një samit në Selanik të Greqisë, i dhanë dritën jeshile deklaratës së përbashkët me këtë objektiv të qartë.
Scholz kujtoi se zgjerimi është në interesat e BE, sepse siç tha ai, “sa më e bashkuar të jetë Europa, aq më lehtë do të përballet me sfidat që i paraqiten”.
Top Channel