Rusia evakuon qytetin pranë uzinës në Zaporizhja/ Panik te qytetarët, radhë kilometrike makinash

08/05/2023 10:41

Rusia ka shkaktuar panik te qytetarët, pasi ka dhënë urdhër për evakuimin e një qyteti që ndodhet pranë termocentralit në Zaporizhja.

Njerëzve nga 18 zona të Zaporizhjas, përfshirë dhe Enerhodarin pranë uzinës u është kërkuar të largohen, përpara ofensivës së parashikuar të Kievit. Mijëra mjete u bllokuan në trafik për më shumë se pesë orë.

Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së ka paralajmëruar se mund të ndodhë një “aksident i rëndë bërthamor”, raporton BBC.

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi tha se evakuimi i banorëve pranë objektit bërthamor tregon mundësinë e luftimeve të ashpra midis forcave ruse dhe ukrainase rreth uzinës.

Më herët, IAEA paralajmëroi se situata në objektin e Zaporizhzhia po “bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme dhe potencialisht e rrezikshme”.

Të premten, kreu rajonal i instaluar nga Rusia, Yevgeny Balitsky tha se “në ditët e fundit, armiku ka shtuar sulmet me granata në vendbanimet afër vijës së frontit”.

“Prandaj kam marrë një vendim për të evakuuar fillimisht fëmijët dhe prindërit, të moshuarit, invalidët dhe pacientët e spitalit”, ka shkruar ai në rrjetet sociale. .

Në mars, IAEA paralajmëroi se centrali punonte me gjeneratorë me naftë për të mbajtur në funksion sistemet jetike të ftohjes, pas dëmtimit të linjave të energjisë. Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkurt 2022, numri i personelit në uzinë ka rënë, thotë IAEA, “por menaxhimi i vendndodhjes ka deklaruar se ka mbetur i mjaftueshëm për funksionimin e sigurt të uzinës”.

Forcat ruse kanë pushtuar  pjesën më të madhe të rajonit të Zaporizhzhia-s, por jo kryeqytetin rajonal Zaporizhzhia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA