Kreu i agjencisë së OKB-së për energjinë bërthamore paralajmëroi se situata rreth centralit bërthamor në Zaporizhia, që kontrollohet nga Rusia është bërë më e “e rrezikshme” pasi zyrtarët e emëruar nga Moska filluan evakuimin e njerëzve nga zonat e rreth centralit.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi bëri thirrje për masa të forta për të garantuar funksionimin e sigurt të centralit bërthamor më të madh në Evropë, ndërsa autoritetet po evakuojnë banorët në qytetin e afërt të Enerhodarit.
“Situata e përgjithshme në zonën pranë termocentralit bërthamor në Zaporizhia po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme dhe potencialisht e rrezikshme”, tha zoti Grossi përmes një deklarate të publikuar në faqen e internetit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për rreziqet reale të sigurisë bërthamore me të cilat përballet centrali. Ne duhet të veprojmë tani për të parandaluar kërcënimin e një aksidenti të rëndë bërthamor dhe pasojat që mund të ketë mbi popullatën dhe mjedisin.”
Zoti Grossi tha se ndërsa personeli i centralit bërthamor në Zaporizhia vazhdon të jetë në krye të detyrës, punonjësit dhe familjet e tyre janë në një “tension gjithnjë e më të madh”.
Guvernatori i emëruar nga Rusia i pjesës së kontrolluar nga Moska të rajonit të Zaporizhzhias në Ukrainë tha të premten se ai kishte urdhëruar evakuimin e fshatrave afër vijës së frontit pasi në ditët e fundit bombardimet në atë zonë ishin intensifikuar.
Një kundërofensivë e pritshme pranverore e Ukrainës kundër forcave ruse mund të shtrihet edhe në rajonin e Zaporizhias, 80 për qind e të cilit kontrollohet nga Moska.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha të dielën se banorët po evakuohen në drejtim të Berdianskut dhe Prymorskut në brigjet e Detit Azov.
Forcat ruse pushtuan centralin bërthamore të Zaporizhzhias në Ukrainë disa ditë pasi Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmin kundër vendit fqinj në shkurt të vitit 2022. Shkëmbime zjarri kanë ndodhur shpesh pranë objektit, për të cilat palët kanë fajësuar njëra-tjetrën.
Zoti Grossi vizitoi për herë të fundit centralin bërthamor në Zaporizhia, në mars, në kuadër të përpjekjeve për të biseduar me të dyja palët për arritjen e një marrëveshjeje mbi masat mbrojtëse për të siguruar funksionimin e sigurt të centralit.
Ai ka paralajmëruar vazhdimisht për rreziqet e operacioneve ushtarake rreth centralit bërthamor, i cili ndodhet në pjesën e rajonit të kontrolluar nga forcat ruse. /VOA
Top Channel