Autoritetet në Teksas identifikuan autorin e masakrës më të fundit që trondit Shtetet e Bashkuara: personi që vrau tetë vete dhe plagosi të paktën 9 të tjerë në një qendër tregtare në veri të Dallasit është Mauricio Garcia, rezident atje.
33-vjeçari u qëllua për vdekje nga një efektiv policie i cili po i përgjigjej një thirrje urgjente diku tjetër në zonë. Presidenti Joe Biden e përshkroi ngjarjen si “episodin e fundit të dhunës së armëve që dërrmon kombin tonë”.
Mediat vendase citojnë hetuesit e çështjes të pohojnë se Garcia mund të ketë pasur lidhje me ekstremin e djathtë, sikurse la të kuptohet edhe veshja e tij. 33-vjeçari përdori një pushkë automatike të stilit AR-15 dhe mbante veshje ushtarake ndërsa në krah, sipas CBS News, kishte një fashë me shkronjat RWDS, “Right Wing Death Squad”, skuadra djathtiste e vdekjes, që besohet të jetë një grup neo-nazist.
Garcia doli nga makina e nisi të qëllonte njerëzit në trotuar përpara qendrës tregtare ‘Allen Premium Outlets’ në Allen të Teksasit. Dëshmitarët flasin për më shumë se 36 të shtëna, ndërsa mes viktimave ka edhe fëmijë. 6 vetë humbën jetën në vendngjarje, dy të tjerë vdiqën në spital. Tre nga 9 të plagosurit gjithashtu janë në gjendje të rëndë. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott u shpreh se “po shënohet rritje dramatike e zemërimit dhe dhunës në Amerikë”.
Prej kohësh, në Teksas, tha ai, po punojmë për të trajtuar zemërimin dhe dhunën, që në fakt do të thotë të trajtosh problemet e shëndeti mendor”.
Top Channel