Konjufca: Kosova jashtë dialogut me Serbinë, nëse kërkohet Asociacion komunash kundër Kushtetuës

08/05/2023 19:07

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha sot se Kosova nuk ka çfarë të kërkoj më në dialog me Serbinë nëse faktorët ndërkombëtarë nuk mendojnë që zgjidhja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference me gazetarë, në përgjigje të deklaratës së të dërguarit të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili shkroi në rrjetet sociale se projekti i parë i paraqitur nga ekipi menaxhues për statutin e Asociacionit nuk është përfundimtar, por “është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve”.

Ekipi paraqiti projektin gjatë bisedimeve të javës së kaluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Nëse e shihni statutin dhe e lexoni me vëmendje, ky statut që ata e prezantuan ishte saktë sipas urdhëdhënies së Serbisë dhe të presidentit (Aleksandar) Vuçiç sepse ishte statut me një përpjekje për me krijuar Republikë Serbe brenda Kosovës dhe kjo është anti-kushtetuese dhe unë mendoj që kurrfarë pozicioni anti-kushtetues nuk mundet me qenë bazë për negociata. Nuk ka logjikë të niset nga një pozicion anti-kushtetues pra që nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës e me mbërri te Kushtetuta e Kosovës, ashtu nuk mundesh ta mbërrish kurrë”, tha zoti Konjufca.

Zoti Konjufca tha se pikënisja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës.

“Bile mendoj që nëse faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, nëse Bashkimi Evropian nuk mendon që zgjidhja të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës unë mendoj që Kosova nuk ka çfarë të kërkoj në atë dialog më, kurrfarë interesi Kosova nuk ka në atë dialog. Çka kemi ne interes ta shkatërrojmë kushtetutshmërinë tonë, ajo shkon vetëm në dëm të interesave tona nëse është ashtu”, tha zoti Konjufca.

Projekt statuti i Asociacionit i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët janë liruar nga detyra me vendim të qeverisë së Kosovës, u refuzua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili e cilësoi të papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por edhe vlerat evropiane.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se vendimi i institucioneve të Kosovës për të shpërbërë ekipin menaxhues që ka hartuar projekt statutin e cenon germën dhe frymën e marrëveshjes dhe se ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion derisa të miratohet statuti i Asociacionit.

Në dokumentet rreth Asociacionit nuk ka asnjë përcaktim të qartë se sa do të zgjaste mandati i ekipit.

Zoti Konjufca tha se ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit është përzgjedhur nga ish zëvendëskryeministri i Kosovës Goran Rakiç, që është udhëheqës i Listës serbe dhe i përgjigjet vetëm presidentit të Serbisë. Ai tha se qeveria e Kosovës nuk ka detyrime ndaj këtyre veprimeve.

“Kosova a e dini pse është në dialog? Sepse beson shumë në dy principe, principin e parë besojmë që dialogu është për njohje të ndërsjellë dhe arsye numër dy e dimë që çfarëdo rregullimi për të drejtën e serbëve, çfarëdo vet-menaxhimi për të drejtat e serbëve është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Se nëse është e kundërta, nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimit të shtetit të Kosovës, e minimit të shtetit tonë atëherë është mirë ne të themi mirupafshim sepse nuk ka interes këtu”, tha zoti Konjufca.

Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në muajin gusht të vitit 2015 për parimet e tij. Po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin vazhdon të mbetët sfida kryesore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kthimin e punonjësve serbë në institucionet që i braktisën në nëntor të vitit të kaluar./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA