BE-ja anulon një ngjarje diplomatike në Tel Aviv, shkaku i një ministri radikal izraelit

08/05/2023 16:21

Bashkimi Evropian bëri të ditur më 8 maj se e ka anuluar një pritje diplomatike të planifikuar për t’u mbajtur në Tel Aviv, në mënyrë që ta parandalonte pjesëmarrjen e ministrit radikal ultranacionalist të Izraelit, Itamar Ben-Gvir.

Ky veprim i delegacionit të BE-së në Izrael kundër anëtarit të qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu, mund të shkaktojë një mosmarrëveshje diplomatike midis Izraelit dhe BE-së.

Marrëdhëniet tashmë janë tensionuar shkaku i politikave izrealite në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Ben-Gvir, kreu i fraksionit të Fuqisë Hebraike, shërben si ministër i sigurisë kombëtare dhe u caktua ta përfaqësojë qeverinë izraelite në ngjarjen e organizuar nga BE për Ditën e Evropës, më 9 maj.

Ministri i Jashtëm, Eli Cohen, tha më 7 maj, gjatë një interviste në radio Kan, se Ben-Gvir ishte caktuar nga sekretari i qeverisë për të marrë pjesë “jo si përfaqësues i partisë Fuqia Hebraike … por për ta përfaqësuar qeverinë e Izraelit”.

BE-ja tha se vendosi “ta anulojë pritjen diplomatike, pasi ne nuk duam t’i ofrojmë një platformë një personi, pikëpamjet e të cilit kundërshtojnë vlerat të cilat i përfaqëson Bashkimi Evropian”.

Pjesa tjetër e ngjarjes publike do të zhvillohet siç ishte planifikuar, pasi që vetëm pritja diplomatike është anuluar.

Ben-Gvir është një ish-aktivist i ekstremit të djathtë, i cili është dënuar për nxitje dhe mbështetje të një grupi terrorist hebrenjsh. Si përfaqësues i qeverisë në ngjarjen e Ditës së Evropës, Ben-Gvir do t’u ishte drejtuar të pranishmëve.

“Është një turp që BE-ja, e cila pretendon se përfaqëson vlerat demokratike dhe multikulturalizmin, sillet me përçarje jodiplomatike”, tha Ben-Gvir.

Netanyahu u kthye në detyrë në dhjetor të vitit të kaluar, në krye të një koalicioni që përfshin parti ultra-ortodokse dhe ultranacionaliste fetare, duke përfshirë fraksionin e vogël të Fuqisë Hebraike të Ben-Gvirit.

Qeveria ka vendosur zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor si prioritet kryesor. BE, së bashku me shumicën e komunitetit ndërkombëtar, i konsideron vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe pengesa për ndërtimin e një paqeje me palestinezët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA