Mijëra njerëz protestuan në qytetin e Marsejës në Francë të shtunën. Ata marshuan në rrugët e qytetit në shenjë zemërimi kundër reformës së pensioneve të ndërmarrë nga presidenti Emmanuele Macron por dhe politikave të ndjekura deri më tani nga qeveria për çështjen e klimës.
Protestuesit mbajtën në duar një banderole të madhe në të cilën shkruhej: “Të jetosh, të punosh dhe të plakesh me dinjitet”. Tubimit iu bashkuan dhe shumë politikanë nga radhët e opozitës.
“Sot është manifestimi i gjithë zemërimit, sepse gjithçka është e lidhur, lufta mund të jetë vetëm globale”, shpjegoi Anne-Marie Meynard, një ish-punonjëse sociale. Ndërkohë të tjerë protestues thanë se nëse do të rriteshin pagat e grave, problemi për financimin e pensioneve nuk do të ekzistonte.
Ata kërkuan nga ana e Presidentit Macron që të tërhiqet nga reforma.
Protestuesit shprehën pakënaqësi dhe sa I takon çështjes së sigurisë në qytetin e Marsejës, ku prej fillimi të vitit janë vrarë 16 persona si rrjedhojë e përplasjeve mes grupeve kriminale për çështjen e drogës.
Top Channel