Shqetësime për sigurinë në centralin në Zaporizhja, pas nisjes së evakuimeve

07/05/2023 11:40

Udhëheqësi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, Rafael Grossi, është shprehur i shqetësuar për situatën e sigurisë në centralin bërthamor në qytetin ukrainas Zaporizhja, pasi forcat pushtuese ruse kanë evakuuar civilët nga një zonë e afërt.

Centrali bërthamor në Zaporizhja është më i madhi në Evropë. Grossi ka thënë se situata në këtë central është duke u bërë “e paparashikueshme dhe potencialisht e rrezikshme”. Urdhri për evakuim është bërë, teksa Ukraina planifikon kundërofensivë.

Megjithatë, punëtorët e centralit është thënë se janë duke qëndruar në objekt. Mirëpo Grossi ka thënë se situata është e tensionuar dhe kushtet e punës për ta janë shumë sfiduese.

Kjo agjenci ka lëshuar paralajmërime për sigurinë në central, edhe në të kaluarën, pasi disa bombardime patën shkaktuar dëme në sistemet e instalimeve, por nuk kanë rezultuar me ndonjë rrjedhje të rrezatimit.

Pas sulmeve, është pezulluar puna në të gjashtë reaktorët. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA