Frika e krizës së drithit, rikthehet sërish.
Ukraina, Rusia, Turqia dhe Kombet e Bashkuara dështuan të autorizonin kalimin e anijeve të reja, përmes marrëveshjes për eksporte nga Deti i Zi që mundëson transportin e sigurt të drithërave ukrainase.
18 maji është afati i vendosur nga Moska për vazhdimin e paktit. Rusia kërcënon se nëse nuk hiqen pengesat ekzistuese për transportin e drithërave, atëherë ajo do të tërhiqet nga ujdia e arritur korrikun e vitit të kaluar, që ndihmoi në stabilizimin e çmimeve.
Zyrtarët nga të gjitha palët e përfshira në këtë marrëveshje janë pjesë e Qendrës së Përbashkët të Koordinimit që gjendet në Stamboll, dhe mbikqyr implementimin e kësaj marrëveshjeje. Sipas një letre që ka parë Reuters, muajin e kaluar Rusia u tha përfaqësuesve të kësaj qendre koordinuese se nuk do të autorizojë kalimin e asnjë anijeje të re, nëse operatorët nuk garantojnë që transiti do të bëhet deri më 18 maj, “në datën kur pritet të mbyllet” rruga e sigurt për drithërat ukrainase.
Ukraina çdo ditë paraqet listën me anijet e reja që duhet të marrin autorizim për të transportuar mallra. Kur këto anije marrin autorizim, atëherë zyrtarët nga Qendra e Përbashkët Koordinuese i inspektojnë ato në Turqi, përpara se anijet të nisen drejt porteve ukrainase në Detin e Zi për të marrë mallrat dhe për t’u kthyer sërish në ujërat turke, ku iu nënshtrohen një inspektimi tjetër.
Sipas të dhënave të Qendrës së Përbashkët Koordinuese, aktualisht është vetëm një anije që është autorizuar dhe 25 të tjera janë në pritje që të inspektohen dhe që të gjitha gjenden në ujërat turke. Po ashtu janë 13 anije në portet ukrainase, ku pesë ishin nisur transit drejt Ukrainës dhe dy janë duke u kthyer për në Turqi.
Top Channel