Prezantimi i tre projekteve për stadiumin e ri të Vlorës, Flamurtari “protestë”

06/05/2023 10:43

Tre studio janë në garë për të marrë përsipër projektin e stadiumit të ri të Vlorës.

I pranishëm është kryeministri Edi Rama dhe kreu i FSHF-së Armand Duka në konkursin ndërkombëtar të quajtur “Qendra e re e Vlorës”.

Ndërkohë në një njoftim zyrtar klubi i futbollit “Flamurtari” ka bërë me dije se do të largohet nga salla në momentin kur do të referojnë përfaqësues të FSHF-së.

Sipas tyre kjo formë civile e protestës , vjen pas penalizimeve të njëpasnjëshme ndaj klubit, ku rasti më i fundit është mbyllja e stadiumit deri në fund të sezonit për të mbajtur jashtë stadiumit sportdashësit vlonjatë.

Deklarata e plotë

“Deklaratë zyrtare!

Ditën e shtunë datë 6 Maj 2023 në teatrin “ Petro Marko “, në një dëgjesë publike ,shpallet projekti fitues i “ Vlora Sport “.Flamurtari Footboll Club , gjatë dëgjesës refuzon të jetë bashkëdëgjues në momentin kur do të referojnë të deleguarit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo formë civile e protestës , vjen mbas penalizimeve të njëpasnjëshme ndaj klubit , ku rasti më i fundit është mbyllja e stadiumit deri në fund të sezonit me vendimin arbitrar për të mbajtur jashtë stadiumit, sportdashësit vlonjat. Refuzojmë teatrin absurd të Federatës Shqiptare të Futbollit”, shkruhet në postimin e faqes zyrtare të Flamurtarit.

Ndërkohë në fjalën e tij para nisjes së aktivitetit kreu i FSHF-së Armand Duka ka theksuar se do të jetë një zgjedhje e mirë në vijim të punës për ambientet e reja sportive të ideuara si qendra. Ndërsa nuk ka komentuar gjatë referuar vendimit të klubit dhe administratorit Sinan Idrizi për t’u larguar nga salla kur të referojnë përfaqësues të FSHF-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA