Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nuk është optimist për arritjen e një zgjidhjeje mbi krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ai thekson se qëndrimet e palëve janë diametralisht të kundërta: ajo çfarë është e mundur për Kosovën lidhur me krijimin e këtij mekanizimi pa kompetenca ekzekutive, është e papranueshme për Serbinë.
“Sa është Serbia kështu hegjemoniste dhe brenda koordinatave le të themi kleronacionalizmit të kohës së Millosheviçit të viteve ‘90-ta, unë nuk pres zgjidhje në kuptimin e një marrëveshjeje me Serbinë. Marrëveshja me Serbinë bëhet kur të ndryshojë Serbia, jo me këtë Serbi aktuale e cila është”, tha Konjufca.
Duke vlerësuar shkarkimin e ekipit menaxhues që e ka hartuar draft-statutin e Asociacionit, Konjufca thotë se puna e tyre ka qenë në përputhje me interesat e Serbisë.
“Prezantuan një Asociacion i cili është ‘Republikë serbe’ në Kosovë dhe shumë mirë që u shkarkuan”, u shpreh ai.
Me tej, kryeparlamentari theksoi se kushtëzimi për themelimin e Asociacionit me kthimin e serbëve në institucione nuk mund të zgjidh problemet.
“Pa u kthyer serbët në institucione nuk mund të vazhdojë procesi në kuptimin e dialogimit, negociatave dhe kushtëzimeve që po i bëjnë tash për Asociacionin. Qëndrimi i QUINT-it ka qenë shumë i qartë, pranim i institucioneve të Kosovës, kthim në institucionet e Kosovës, pranim i kornizës kushtetuese në të cilën funksionon Kosova dhe pastaj kalojmë në hapa të tjerë”, tha Konjufca.
Top Channel