Ende pa marrë veten nga tronditja e vrasjes së 8 fëmijëve dhe rojes së sigurisë në një shkollë të Beogradit nga një 13-vjeçar, në harkun kohor të vetëm pak ditëve, Serbia përballet me një tjetër masakër.
Një 20-vjeçare hapi zjarr me kallashnikov nga një makinë në lëvizje në një fshat gati 60 km larg kryeqytetit, duke vrarë 8 persona e duke plagosur mbi 13 të tjerë. I riu është arrestuar tashmë nga policia, pas një operacioni të menjëhershëm kërkimi, pohoi ministria e brendshme serbe.
I dyshuari, i identifikuar për momentin vetëm me iniciale, UK, u ndalua në afërsi të Kragujevacit. Prangosja e tij pasoi një gjueti të vërtetë njeriu, që përfshiu më shumë se 600 oficerë policie. Të shtënat e ndodhën në zonën mes fshatrave të Mladenovac dhe Dubona. 20-vjeçari ka nisur të qëllojë mbi njerëzit në rrugë pa dallim pasi një sherri që kishte pasur me një polic.
Të gjithë të plagosurit e shtruar në spital kanë lindur pas vitit 2000. Dy të rinj të moshave 21 dhe 23 vjec janë operuar tashmë, por mbeten në gjendje kritike për jetën. Ngjarja tragjike së mërkurës, kur Kosta Kecmanoviç, i përshkruar si nxënës i shkëlqyer, hapi zjarr në shkollën e tij, e nxiti qeverinë serbe të propozonte ashpërsim të rregullave të armëmbajtjes. 13-vjeçari kishte përdorur armën e të atit për të kryere masakrën e paramenduar. Të shtënat në masë janë ekstremisht të rralla në Serbi, ku ligjet e armëmbajtjes janë mjaft të rrepta, por ku sërish zotërimi i armëve mbetet mjaft i lartë.
Në vitin 2019, u llogarit se në këtë vend ka 39.1 armë zjarri për 100 njerëz, shifra e tretë kjo më e lartë në botë pas SHBA-së dhe Malit të Zi.
Top Channel