Nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës, ku mbërriti nën masa të rrepta sigurie për një vizitë të papritur, presidenti ukrainas Volodymir Zelensky përcolli një mesazh të qartë për kreun e shtetit rus, Vladimir Putin.
Duke folur në institucionin e rëndësishëm të drejtësisë, që në emër të Putinit ka një urdhër arresti për krime lufte, Zelensky u shpreh se shefi i Kremlinit duhet dënuar për veprimet e tij.
“Duhet krijuar një gjykatë e posaçme për t`i kërkuar llogari Rusisë për krimet e saj. Duhet të ketë përgjegjësi për këto krime. Dhe kjo mund të zbatohet vetëm nga gjykata”, u shpreh Zelensky.
Ndalesa e Zelensky-t, nuk u njoftua paraprakisht dhe shënon vizitën e parë të liderit ukrainas në Holandë. Më herët, ai u takua me liderët nordikë në një samit në Finlandë, në të cilin mori zotimet e tyre për mbështetje për aq kohë sat ë jetë e nevojshëm.
Holanda deri tani i ka ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake prej rreth 1.2 miliardë euro duke e ndihmuar që të mbrohet kundër pushtimit të plotë të Rusisë. Zelensky u takua me kryeministrin holandez Mark Rutte për bisedime, nëpërmjet të cilave ai po shpreson të sigurojë asistencë të mëtejshme nga ky vend teksa konfliktit të Ukrainës me Rusinë ende nuk i duket fundi.
Të mërkurën, lideri ukrainas njoftoi se vendi i tij do të nisë së shpejti kundërofensivën dhe se ai vetë është i bindur që Perëndimi do ta furnizojë Kievin me avionë luftarakë modernë.
Top Channel