SHBA/ Heqja e kufizimeve në kufi mund të rrisë valën e migrantëve

04/05/2023 17:42

Administrata e Presidentit Biden po dërgon një personel ushtarak prej 1,500 trupash në një mision 90-ditor në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Vendimi vjen ndërsa pritet shtimi i prurjeve të migrantëve pas datës 11 maj, afati kur skadon urdhri ekzekutiv që ndalonte hyrjen e emigrantëve për të shmangur përhapjen e pandemisë COVID-19.

Për më shumë se dy vjet, administrata e Presidentit Biden mbajti në fuqi një vendim të kohës së ish-Presidentit Trump për kufirin jugor amerikan, bazuar në një urdhër ekzekutiv, i cili pezullonte ligjet e emigracionit, duke mos i lejuar emigrantët nga Amerika jugore të hynin në territorin amerikan për të kërkuar strehim politik dhe mundësonte dëbimin e shpejtë të migrantëve drejt vendeve të tyre të origjinës, ose qyteteve kufitare të Meksikës.

“Me kërkesë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Sekretari Austin miratoi dërgimin me një mision 90-ditor të një personeli prej 1,500 trupash në kufirin jugperëndimor për të ndihmuar rojën kufitare në aspekte të ndryshme si vëzhgimi i kufirit dhe mbledhja e të dhënave”, thotë zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder.

Tre senatorë republikanë kritikuan administratën e Presidentit Biden lidhur me planet për të shfuqizuar urdhrin ekzekutiv, një veprim që pritet të shkaktojë rritjen e numrit të migrantëve në kufirin jugor.

“Brownsville, Laredo dhe El Paso kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme sepse e dinë se çfarë i pret më 11 maj. Në këto qytete janë vendosur një numër aq i madh migrantësh saqë nuk mund t’i përballojnë. Në këto qytete janë shtuar krimet dhe problemet, gjërat kanë dalë jashtë kontrollit”, tha Senatori Lindsey Graham nga Karolina e Jugut

Pranë një qendre migracioni në kufirin jugor të Meksikës, migrantët që shpresojnë të kalojnë në SHBA formuan radhë të gjata të mërkurën për t’u pajisur me dokumente që i lejojnë të udhëtojnë falas në vend.

“Është momenti i duhur për të kaluar. Do të hiqet kufizimi dhe do të jemi në gjendje të shkojmë në Shtetet e Bashkuara. Jemi shumë njerëz punëtorë dhe do të kontribuojmë në Shtetet e Bashkuara për një të ardhme më të mirë për ne dhe familjet tona në Venezuelë”, thotë migranti Edgar Gerardo.

Emile Larisa është migrante nga Venezuela e cila po pret në kufirin e Meksikës me Shtetet e Bashkuara.

“Po kërkojmë leje që të mund të vazhdojmë rrugëtimin tonë. Ëndrra ime është të shkoj në SHBA, por jemi këtu në përpjekje për të realizuar qëllimin tonë. Jemi ende larg dhe të shqetësuar se do ta mbyllin kufirin dhe kjo na tremb”.

Sipas përllogaritjeve të zyrtarëve amerikanë të imigracionit, duke filluar nga ky muaj, prurjet e migrantëve përgjatë kufirit SHBA-Meksikë mund të rriten nga 10,000 deri në 13,000 në ditë nga shifrat aktuale prej 5,000 deri 8,000 në ditë.

Pentagoni ka thënë se personeli ushtarak në kufi nuk do të marrë pjesë drejtpërdrejt në aktivitetet e zbatimit të ligjit./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA