Kundërofensiva ndaj Ukrainës, ku janë pikat pikat e dobëta të ushtrisë ruse?

04/05/2023 14:48

Rusia po përgatitet për kundërofensivën e Ukrainës dhe ka ngritur fortifikata në një rrip tokësor prej disa qindra kilometrash. Çfarë e pret ushtrinë ukrainase në luftën për çlirimin e territoreve të saj?

Që nga dhjetori ushtria ruse po ngre fortifikata mbrojtëse përgjatë të gjithë linjës së frontit luftarak. Pamjet satelitore tregojnë, se trupat që marshuan në Ukrainë në shkurt 2022 po hapin llogore në pika të rëndësishme strategjike dhe se po përgatiten për një kundërofensivë. Sipas të dhënave të shërbimit sekret britanik në të gjithë botën prej dekadash nuk ka pasur më komplekse të tilla ushtarake. Edhe Reuters raporton, pas analizimit të disa mijëra pamjeve satelitore, se në rajonet ruse kufitare si edhe në Ukrainën lindore dhe Jugore janë ngritur mijëra fortifikata, bllokada automjetesh dhe llogore që shtrihen në disa qindra kilometra.

Rob Lee, studiues në Institutin për Studimet e Politikës së Jashtme, “Foreign Policy Research Institute” në Filadelfia është i mendimit, se Rusia ka mësuar nga kundërofensiva e Ukrainës vitin e kaluar. “Pas ofensivës në Kharkov Rusia e kuptoi, se dështimi është i mundur, dhe territoret mund të humben. Mendoj, se është kuptuar, se Ukraina mund të zhvillojë kundërofensiva.”

Çfarë fortifikatash po ngrenë rusët?

Kryesisht ndërtohen llogore të thella, aq sa mund të qëndrojë në këmbë një njeri. Përpara ato janë të mbrojtura me thasë rëre ose gurë. Infanteria ruse do të mbrohet kështu nga plumbat, copat e granatave dhe zjarri i artilerisë. Përgjatë rrugëve ka shumë llogore të tilla si dhe pranë qyteteve. Këtë e raporton Brady Africk nga “American Enterprise Institute” në Uashington, i cili i ka parë shumë nga pamjet satelitore. Pamjet thotë ai, tregojnë, se rusët duan t’i bllokojnë rrugën automjeteve ushtarake ukrainase me bllokues tankesh, llogore dhe blloqe betoni si nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu ata po vendosin mina fushe.

Aty ku janë ngritur fortifikatat, komandoja ruse pret me sa duket sulme ukrainase si në rajonin e Zaporishjas, dhe në rripin tokësor që lidh Ukrainën me Krimenë. Gjeneralmajori në pension i ushtrisë australiane, Mick Ryan supozon, se pjesa jugore ukrainase sidomos Zaporishja do të jenë në fokus të kundërofensivës ukrainase. “Këto janë fortifikata që duhen marrë në konsideratë të ngritura në gjashtë muajt e fundit”, thotë Olah Shdanov, ekspert ushtarak ukrainas. Por ai thekson, se këto janë fortifikata në piketa të caktuara. Për shembull rrjeti rrugor në lindje të Melitopolit nuk është bllokuar nga fortifikatat.

Masa kundër pikave të dobta ruse

Niklas Masuhr nga Qendra Studimore “Center for Security Studies” në Universitetin e Zyrihut, ETH është i mendimit, se rusët me fortifikatat nuk përpiqen aq të zbusin goditjet e forcave ukrainase, se sa të arrijnë që ukrainasit të paguajnë një çmim të lartë për kundërofensivën e tyre. “Fortifikatat krijojnë një parashikueshmëri të caktuar dhe strukturojnë operacionet e ardhshme. Kjo zbut dobësitë e Rusisë, për shkak se ushtria ukrainase si rregull është më e fortë në improvizim dhe ndërrimin e shpeshtë të situatave ushtarake.” Rob Lee nga “Foreign Policy Research Institute” konstaton, se përqëndrimi i forcave të veta në një segment të caktuar u krijon avantazh ukrainasve dhe ju mundëson të depërtojnë thellë në territoret e pushtuara nga Rusia. Kjo nga ana tjetër mund të çojë në shkatërrim të fortifikatave në linja të tjera të frontit dhe të ndihmojë në suksese ushtarake.

Mbrojtja ajrore ukrainase dhe morali luftarak rus

Eksperti ushtarak, Olev Shdanov thotë, se ende pamjet satelitore nuk tregojnë pozicionet e artilerisë. Këto pozicione rusët do t’i zënë pak para fillimit të luftimeve. Një faktor tjetër që duhet marrë në konsideratë janë forcat ushtarake ajrore ruse, që për shkak të mbrojtjes ajrore ruse rrallë depërtojnë në hapësirën ajrore të kontrolluar nga Kievi. “Rëndësi ka që forcat kundërsulmuese ukrainase të kenë sisteme të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore, që të mbrojnë drejtpërdrejt trupat. Mbrojtja ajrore do t’i mbrojë ato në nivelin taktik-operativ, dhe kjo mund të mbulojë territore të tëra. Ky është një faktor serioz dhe që duhet marrë në konsideratë”, sipas Shdanov.

Por rezultati i kundërofensivës së Ukrainës nuk varet vetëm nga kjo. Sipas Shdanov, nuk ka rëndësi se sa thellë futesh në llogore apo ndodhesh pas fortifikatave. “Gjithçka varet nga vullneti i ushtarit për mbrojtje dhe gjendja e tij emocionale dhe psikike.”

Kurse Franz-Stefan Gady, ekspert për luftimet moderne dhe analist në “Institute for International Strategic Studies” në Londër është i mendimit, se “qëllimi i i Ukrainës duhet të jetë të paralizojë komandën ushtarake ruse dhe të vendosë në panik ushtarët rusë.” Befasia taktike, drejtimi në fushëbetejë dhe morali luftarak do të jenë vendimtare në 24 orët e para të luftës, tha Gady për CNN. Në luftërat moderne në ofensiva marrin pjesë grupe të vogla të manovrueshme, sipas Shdanov, gjë që u bë e qartë në çlirimin e rajonit të Kharkovit. “Ata kujdesen që tek armiku të krijohet panik dhe kaos dhe më pas trupat kryesore kryejnë pjesën e fundit të mbetur.”

Cili është roli i ndihmës ushtarake perëndimore?

Për të thyer rezistencën e fortifikatave dhe të çlirojë territoret e pushtuara, sipas ekspertit Rob Lee duhet që tanket ukrainase të veprojnë në koordnim me automjete të tjera të blinduara, me artilerinë dhe avionët ushtarakë. Në këtë pikë do të ndihmojnë furnizimet ushtarake nga perëndimi. Oleh Shdanov përmend pajisjet ushtarake amerikane MICLIC për pastrimin nga minat dhe tanket gjermane “Biber” për kalimin e pengesave të vogla. Ukraina ka marrë po ashtu tanke për heqjen e minave. Sipas ekspertit Niklas Masuhr  rëndësi ka edhe mbështetja perëndimore në aftësimin e trupave ukrainase të operojnë në grupe të kombinuara dhe lidhjen efektive të tyre. Si mbështetja me municion edhe ajo me informacione nga shërbimet sekrete perëndimore do të luajnë rol vendimtar, sipas ekspertit. Nga ana e tij gjeneralmajori, Mick Ryan thotë, se më shumë rëndësi ka një planifikim i mençur. “Ndihma më e rëndësishme që ata marrin nuk është materiali ushtarak, por trajnimi i ushtarëve të batalioneve, brigadave dhe komandove në lidhje me operacione komplekse të armatosura.” Një gjë është e qartë për ekspertin Masuhr, kundërofensivat e mëparshme drejtoheshin kundër trupave ruse të dobta dhe të çorientuara. “Situata e tanishme është krejtësisht tjetër.”/DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA