Europol megaoperacion kundër tregtimit në të zezë të veprave të artit, sekuestrohen mbi 11 mijë artefakte të vjedhura! 60 të arrestuar

04/05/2023 18:44

60 persona janë arrestuar dhe 11,049 artefakte të vjedhura janë mundur të rikuperohen sërish, pas një superoperacioni ndërkombëtar kundër tregut të zi të artit në 14 vende evropiane. Nga këto, 13 objekte arkeologjike u sekuestruan nga posta në Bosnje dhe Hercegovinë.

Operacioni me emrin Pandora VII u drejtua nga Guardia Civil e Spanjës, me mbështetjen e Europol dhe INTERPOL, njoftoi Europol.

Gjatë operacionit janë kryer disa mijëra kontrolle në aeroporte, porte dhe pika kufitare të ndryshme, si dhe në shtëpi ankandesh, muze dhe shtëpi private. Si pjesë e Pandora VII, dy javë patrullime kibernetike u organizuan në maj dhe tetor të vitit të shkuar, me mbi 8,495 kontrolle nëpërmjet internetit. Po ashtu, u sekuestruan 4017 sende të vjedhura.

Rreth 130 hetime janë ende në vazhdim, me konfiskime dhe arrestime të tjera që priten teksa agjentët në mbarë botën kërkojnë për ata që prishin dhe shkatërrojnë trashëgiminë kulturore.

Pandora VII çoi në rikuperimin e objekteve të vjedhura si më poshtë:

  • Në Itali u sekuestruan 77 libra të lashtë që ishin në tregun e zi online. Librat u vodhën nga arkivi i një manastiri.
  • Një bust mermeri romak i një gruaje u gjet nga Guardia Civil në Sevilje, Spanjë. Skulptura besohet se përfaqëson Salonia Mattidia, një mbesë e perandorit Trajan.
  • Gjithsej 3073 monedha antike u sekuestruan nga një platformë e shitjeve online nga policia polake.
  • Policia rumune gjeti gjithashtu 117 monedha të tjera dakiane dhe romake pasi vendi arkeologjik u grabit.
  • Autoritetet portugeze gjetën 48 skulptura fetare dhe objekte të tjera fetare. Artikujt besohet të jenë të lidhura me një seri prej 15 grabitjesh të kryera në kisha në të gjithë Portugalinë veriore midis viteve 1992 dhe 2003.
  • Policia helene ka konfiskuar edhe 41 objekte të tjera fetare dhe liturgjike (ikona, mbulesa altari etj.) gjatë kontrollit të një shtëpie në Greqi.
  • Në zyrën postare në Bosnje dhe Hercegovinë, u sekuestruan 13 artefakte arkeologjike (përfshirë bizhuteri) nga Federata Ruse.

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Vendet që morën pjesë në Pandora VII ishin: Austria, Bullgaria, Republika Çeke, Kroacia, Qipro, Greqia, Irlanda, Italia, Polonia, Portugalia, Rumania, Spanja, Suedia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Europol luajti një rol kyç në zbatimin e të gjithë operacionit, duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit dhe duke ofruar mbështetje analitike dhe operacionale.

INTERPOL, përmes sistemit të tij të sigurt të komunikimit I-24/7, ka lidhur vendet e Ballkanit dhe Bashkimin Evropian pjesëmarrës në shkëmbimin e informacionit. Operacioni Pandora, i cili filloi për herë të parë në vitin 2016, kryhet çdo vit nën Platformën Multidisiplinare Evropiane kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT).

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA